MaqedoniTop Lajme

Referendumi i ardhshëm kyç për të ardhmen e Maqedonisë, porositi Zaev dhe Ahmeti (Video)

Shpërndaje

Rëndësia e Marrëveshjes së Ohrit si instrument për shembull për zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe më gjerë, bindje se me të janë vendosur themelet për ndërtim dhe funksionim të plotë të një shoqërie demokratike multietnike, si dhe besim se në referendumin e ardhshëm të 30 shtatorit qytetarët do ta zgjedhin rrugën evropiane të vendit, shprehën sot pjesëmarrësit në panelit “Rruga drejt Brukselit përmes Ohrit”, që u mbajt në kuadër të shënimit të 17 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në organizim të Sekretariatit për çështje evropiane.

Në panel ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë, të Kuvendit, të korit diplomatik, kryetarë komunash.

Kryeministri Zaev, i cili ishte një nga panelistët, shprehu nderime ndaj politikanëve, të cilët para 17 viteve kanë tubuar forca pas negociatave të gjata ezaururese kanë arritur marrëveshje që t’i japin fund konfliktit në vitin 2001.

Marrëveshja e Ohrit, sipas tij, është garanci se dhuna nuk do të ketë mekanizëm për arritje të qëllimeve politike apo çfarëdo qoftë tjera dhe paraqet bazë për ndërtimin e bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në vend.

“Sot e ndërtojmë Maqedoninë si një shoqëri dhe një familje për të gjithë”, tha Zaev dhe shtoi se vetëm për një vit pas ardhjes në pushtet të Qeverisë së re, vendi nga një shtet i izoluar u bë i hapur ndaj fqinjëve, por edhe më gjerë në orvatjet për integrimin e tij në BE dhe NATO.

Ai e përmendi Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, e cila para një viti ishte nënshkruar me Bullgarinë, por edhe marrëveshja historike për zgjidhjen e kontestit me Greqinë me të cilin përsëriti se është garantuar identiteti maqedonas, që është pranuar dhe njohur nga të gjithë.

“Ashtu si para 17 viteve guximi i qytetarëve, por edhe i politikanëve tanë  e nxori Maqedoninë nga kriza, neve tani na jepet mundësia që të jemi të guximshëm, të sjellim vendim të vërtetë që ta sigurojmë të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë. E di se më 30 shtator të bashkuar do të ecim me kokën lartë drejt së ardhmes më të ndritur të Maqedonisë. Jam i sigurt dhe besoj fort se do të zgjedhim Maqedoninë evropiane”, porositi Zaev.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij në debat theksoi se në të kaluarën madje edhe optimistët më të mëdhenj nuk kanë menduar se pas 17 viteve Maqedonia do të jetë shembull për zgjidhjen e konflikteve dhe për atë se situatat konfliktuoze po transformohen në dialog.

Theksoi se NATO ka luajtur rol të madh në parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të konfliktit në Maqedoni dhe shtoi se edhe atëherë kishte rryma dhe vende të cilat nuk dëshironin që Maqedonia të jetë stabile dhe të shkojë përpara, por shtoi se forcat progresive kanë dalë fitimtare.

Ahmeti theksoi se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se referendumi i suksesshëm është në fakt suksesi i tyre. Theksoi se zgjidhja e kontestit me Greqinë dhe referendumi i ardhshëm është pikë e cila duhet të na bashkojë në tentimin e vendit të bëhet anëtare në BE dhe NATO.

“Do të angazhohemi me të gjithë faktorët me qëllim që të mobilizohemi dhe informojmë çdo qytetar të jetë i vetëdijshëm se në referendumin e ardhshëm në fakt do të ndërtohet ardhmëria”, tha Ahmeti dhe shtoi se me këtë fitore në fakt fitojnë paqja dhe stabiliteti.

Lideri i BDI-së u bëri apel të gjithëve të ofrojnë ndihmë për suksesin e këtij procesi, dhe, siç theksoi, për kalimin e hapave të fundit nga kjo maratonë.

Dafina Jovanovska Stojanovska deputete e VMRO-DPMNE-së opozitare theksoi se Marrëveshja e Ohrit është e rëndësishme në drejtim të parandalimit të gjakderdhjeve në të kaluarën. Shfaqi shpresë se me të përgjithmonë janë shmangur entuziazmi nacionalist dhe shovinist i elitave politike.

Në fjalimin e saj theksoi se për qytetarët është shumë i rëndësishëm aspekti ekonomik, gjegjësisht sa ta në të vërtetë jetojnë më mirë, duke shtuar se varfëria, krimi dhe korrupsioni ende janë të pranishme në vend.

“Maqedonia  është zotim dhe fati ynë, e kaluara e saj është tejet e rëndësishme dhe kjo që ndodh sot një ditë do të jetë e kaluar”, tha Jovanovska Stojanovska.

Shprehu besim se qytetarët e Republikës së Maqedonisë do ta kenë fjalën e fundit në përcaktimin e të ardhmes së vendit./mia/

Për fat të keq në video dëgjohet vetëm gjuha maqedone.