Bota

Çavuşoğlu: Nëse SHBA do të vazhdojë reputacionin, kjo nuk bëhet me imponime

Shpërndaje

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu tha se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dëshiron të vazhdojë si vend me reputacion, kjo nuk bëhet me imponime, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, i cili gjendet në Ankara në kuadër të Konferencës së 10-të Ambasadorëve.

Duke theksuar se në takimet e tyre me Lavrov do të trajtojnë çështjet rajonale në mesin e të cilëve është edhe Idlibi, ai tha se shpresojnë që do të gjejnë zgjidhje edhe për problemin e Idlibit në kuadër të bashkëpunimit që kanë.

Çavuşoğlu tha se në rajonin e Idlibit gjenden mbi tre milionë civilë. “Por në rajonin e Idlibit gjenden edhe disa grupe terroriste. Këta erdhën nga Halepi, Guta Lindore dhe Homsi. Megjithatë, vetëm pse ka terroristë nuk do të thotë se duhet të bombardohen spitale, shkolla, civilë në Idlib. Kjo do të thotë masakër dhe shkakton një krizë serioze”, tha ministri turk.

Në lidhje me pastorin amerikan Andrew Brunson, shefi i diplomacisë turke njoftoi se sot do të takohet me të ngarkuarin me punë të ambasadës së SHBA-ve në Ankara.

“Duhet të përfundojë epoka e kapadaillëkut”

Ministri turk në lidhje me një pyetje për politikën sanksionuese të SHBA-ve tha se Turqia në princip është kundër sanksioneve të SHBA-ve ose të ndonjë vendi tjetër.

Ai tha se të gjithë i përshtaten sanksioneve të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe se këto janë të detyrueshme. “Ne, ashtu siç nuk kemi qenë dakord me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, shumë qartë theksuam se jemi kundër. Njësoj treguam se nuk do të marrim pjesë në sanksionet ndaj Iranit”, u shpreh ai.

Çavuşoğlu më tutje theksoi se nga sanksionet e SHBA-ve ndaj Iranit janë të shqetësuar edhe Evropa, edhe shtetet e Azisë-Paqësorit.

“Duhet të përfundojë epoka e kapadaillëkut. Nëse SHBA dëshiron të vazhdojë si vend me reputacion, kjo nuk bëhet me këto imponime”, deklaroi Çavuşoğlu.

Ai tha se ashtu siç është shprehur homologu i tij rus, ky qëndrim i SHBA-ve ka filluar të shkaktojë “efektin flutur”, ndërsa SHBA-të kanë filluar që paratë dhe fuqinë ta përdorin për të sulmuar jo vetëm Turqinë, por veçanërisht edhe shtetet e rëndësishme të Evropës.