Maqedoni

Daut Haradinaj mbështetë Blerim Rekën për president të Maqedonisë së Veriut

Shpërndaje

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka dalë në mbështetje të kandidatit presidencial për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka.

Në një deklaratë, deputeti Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç ishin në proceset e mëhershme që rezultuan me rritjen e të drejtave të tyre.

“E mbështes kandidatin Blerim Reka në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Reka është personalitet i jashtëzakonshëm dhe meriton përkrahje nga të gjithë shqiptarët”, ka thënë Haradinaj.

Tutje ai thotë se Blerim Reka do të ishte president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, sepse, shton Haradinaj, ai në çdo fazë të shtet-ndërtimit ka dhënë kontribut të çmueshëm.

“Blerim Reka meriton t’i jepet shansa që të dëshmohet dhe me këtë të tregojë se shqiptarët atje më nuk janë vetëm popull që ua plotëson kuotat të tjerëve, por janë popull që nga gjiri i vet ka nxjerrë dhe po nxjerr personalitete të shquara”, ka thënë Haradinaj.

Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai do të garojë kundër dy kandidatëve maqedonas, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet të udhëhequr nga socialdemokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE.

Zgjedhjet do të mbahen në dy rrethe zgjedhore më 21 prill dhe 5 maj. Në rrethin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, nëse në zgjedhje dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues. Të drejtën e votës do të kenë rreth 1.8 milion persona.