Rajoni

Testi i Maturës del online edhe sot, MAShT kërkon ndihmën e prokurorisë

Shpërndaje

Nxënësit e shkollave të mesme të Prizrenit dhe Gjakovës sot kanë mbajtur Testin e Maturës.

Por edhe këtë herë janë përdorur rrjetet sociale Viber dhe Facebook, për të shpërndarë pyetjet e testit.

Ata madje kanë thënë që e kishin pasur shumë të lehtë që të kopjojnë dhe të përdorin telefonat.

“Vec një laps na kanë lënë sen tjetër”, “Një shoqe timen e kanë nxënë po ja murrën telefonin asgjë si thanë kish qenë profe e urt”, thuhet në disa nga bisedat.

Por tjetër mendim kanë Drejtorët e Arsimit në këto komuna, të cilët thanë se i gjithë procesi i Testit të Maturës ka shkuar sic duhet, kurse nga MAShT kanë kërkuar nga policia që të hapin hetime.

Drejtori i Arsimit në Prizren, Gani Germizaj thotë për KALLXO.com se nuk ka pasur asnjë parregullsi në këtë komunë.

“Sot siç është paraparë testi ka filluar në orën 10:00, gjithsej i janë nënshtruar 2744 nxënës duke përfshirë paralelet shqipe turke dhe boshnjake. Sipas informatave që i kemi marrur nuk kanë hasur ndonjë parregullsi gjatë këtij testi që t’i merret telefoni apo të largohet dhe gjithçka ka qenë në rregull”, tha ai.

Kurse, drejtori i Arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj tha se në këtë komunë janë larguar dy nxënës nga testi.

“Testi ka shkuar shkëlqyeshëm, nuk ka pasur ndonjë telashe, cdo gjë në rregull. Testet kanë ardhur me kohë, administruesit me kohë dhe nxënësit, probleme ska pasur. Vetëm dy nxënës janë përjashtuar, njëri ka përdorur telefonin ndërsa tjetri nuk e ka pasur dokument identifikimi, përfaqësuesit e MAShT se kanë lejuar me bë testin”, tha Frrokaj për KALLXO.com

Ndërsa, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj tha se shpërndarja e testit sot në mediat sociale ishte me masë më të vogël se ditëve të tjera.

“Sot ka pasur shumë pak shpërndarje asnjë ditë nuk ka qenë sikur sot edhe në teren jam ka informacione ka pasur mbarëvajtje të mirë, por normalisht që ekziston dikush që e keqpërdor po ska arrit që ta dëmtojë procesin shumë”, tha Hysenaj.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje prokurorisë që të merret me rastet që e pengojnë procesin e testimit.

“Unë kam bërë thirrje publike edhe sot edhe dje në media që prokuroria të filloj të merr masa ndaj keqbërësve sidomos atyre të rrjeteve sociale”, tha Hysenaj për KALLXO.com.

Retorikë e njëjtë e mbajtjes së Testit të Maturës ka qenë edhe në qytetet e tjera si në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.

Testi do të mbahet nesër në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës.