Maqedoni

Opozita shqiptare: Bllokadës do t’i përgjigjemi me bllokadë

Shpërndaje

Opozita shqiptare e vendosur, Ligji për shtetësi duhet miratuar, në të kundërtën i rikthehen bllokadës së Kuvendit. ASH-AAA kërkon nga kryeministri Zoran Zaev të shqyrton bllokimin e ligjit me përgjegjësi politike për hir të proceseve që pasojnë.

“Apelojmë tek kryeministri që ta merr seriozisht këtë çështje nga subjekti tij dhe partnerët e koalicionit që çështja të vjen në miratim sa më shpejtë. Në të kundërtën jam i bindur se neve do të duhet të vazhdojmë me procesin e bllokimit me të cilin e kushtëzojmë opinionin politik që çështjet të vijnë drejtë në vendin e duhur. Kuvendi ta miraton Ligjin për shtetësi dhe njerëzve t’i zgjidhen hallet përgjithmonë. Nuk do të lejojmë dikush të tallet me Ligjin për shtetësi”, tha Skender Rexhepi, deputet i AA-së.

Tërheqja e propozimit nga procedura nuk vjen në shprehje. Rexhepi thotë se partitë ishin të njoftuara në kohë me tekstin e ligjit, por në vend të amendamenteve ai thotë se subjektet e bllokut politik maqedonas u koordinuan për ta bllokuar ligjin.

“Jo në asnjë rast, nuk kemi pse të tërhiqemi sepse është harmonizim i përbashkët mes nesh dhe Qeverisë. I njëjti i është dorëzuar të gjitha subjekteve politike. Të gjithë kanë pas kohë të mendojnë për ndryshime dhe në amendamentet tona ta plotësojnë, por jo ta bllokojnë”, theksoi Skender Rexhepi, deputet i AA-së.

Propozim-ligji për shtetësi i harmonizuar mes opozitës shqiptare dhe Qeverisë parashikon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë duke dëshmuar përmes një dokumenti zyrtar ose përmes natyralizimit. Për momentin propozimi ndodhet në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri në fazën e amendamenteve, ndërsa opozita maqedonase për 3 ditë më radhë bllokoi leximin e tyre përmes fjalimeve procedurale.