MaqedoniTop Lajme

Kryeministri Zaev uron festën e Kurban Bajramit

Shpërndaje

Kryeministri i vendit Zoran Zaev me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dërguar telegram urimi deri te kreu i BFI-së, Reisul Ulema Haxhi Shaqir Efendi Fetai, deri te anëtarët e Riasetit dhe deri te të gjithë besimtarët e fesë islame.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në emrin tim personal, Juve, anëtarëve të Riasetit të Bashkësisë Fetare Islame dhe të gjithë qytetarëve që e festojnë këtë festë, J’ua uroj festën e madhe islame Kurban Bajramin.

Këto ditë të shenjta uroj t’i kaloni në frymën e durimit, bujarisë dhe uroj t’u udhëheq dëshira për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet. Në këtë festë të shpresës dhe besimit në mirësinë e njerëzve, ndani të mirat e festës me familjet tuaja, farefisin, miqtë dhe fqinjët.

Të nderuar bashkëqytetarë tanë,

Madhështia e festës së Kurban Bajramit na rikujton në thelbin e ekzistencës njerëzore, gjënë më të vlefshme për ne, për kujdesin e shëndetit dhe ruajtjes së jetës dhe kujdesin për më të afërmit. Le të jetë festa edhe nxitje në periudhën që vijon, të vaksinohemi në mënyrë masive, si mjet më efikas në luftën kundër pandemisë me COVID-19 dhe në këtë mënyrë bashkërisht të arrijmë që më shpejt dhe pa dhimbje të mbrohemi dhe t’i tejkalojmë pasojat e saj.

Festa e sakrificës na tregon për vlerat që janë universale, na dërgon mesazhe fisnike që kërkojnë respekt dhe kujdes për shoqërinë tonë në mënyrë të barabartë për të gjithë, për shoqërinë në të cilën diversiteti kulturor, etnik dhe fetar është një thesar dhe një vlerë unike e paçmuar.

Në frymën e traditës shekullore të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit në vendin tonë, më lejoni t’ju uroj të kaloni ditët festive me shëndet të mirë dhe forcë shpirtërore!

Qoftë i bekuar dhe urime festën e Kurban Bajramit!”