Ali Ahmeti nga Tearca: Më 17 Tetor votohet për vazhdimësi dhe ardhmëri
Bashkimi Demokratik për Integrim në tubimin e sotëm në komunën e Tearcës ka vazhduar sot fushatën e saj parazgjedhore duke prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj komune Nuhi Nezirin, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Besnik Osmani, si dhe programin e punës për mandatin e ri katëvjeçar.
Banorëve të Tearcës iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Nuhi Neziri dhe bartësi i listës për këshilltarë Besnik Osmani.
Kryetari i Bashkimit Demokratik përf Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se Nuhi Neziri do të ketë të gjithë përkrahjen e Bashkimit Demokratik për Integrim drejt fitores së rradhës dhe vazhdimësisë së zhvillimit të Tearcës. Ai ka potencuar edhe rëndësinë e zbatimit të projekteve të agjendës së blertë për të avancuar standardin jetësor të qytetarëve dhe për të ruajtur pasuritë natyrore që posedojmë.
“Mos hezitoni po ashtu siç tha edhe Nuhiu ti bindim edhe ata që nuk janë në vijën tonë sepse ne që jemi këtu të gjithë jemi bashkë, por ka edhe të tjerë. Kemi për çka të flisni, keni çka t’ju thoni njerëzve për atë që kemi bërë dhe për atë që do të bëjmë. Asnjëherë nuk e kemi zhgënjyer elekoratin dhe vlerësuesi më i madh se ne nuk e kemi zhgënjy elektoratin, nuk i kemi zhgënjy qytetarët janë fitoret e 18 viteve rradhazi pa asnjë humbje në të gjitha ciklet zgjedhore. Për 18 vite kam investuar në ngritjen e kuadrove sepse kur kemi kuadro gjërat do të shkojnë për së mbari. Unë po u them si vëllau vëllaut ndryshe kam qenë në 2002, 2004, 2006 dhe 2008, sot jam ndryshe ngase ndihem udhëheqësi me të vërtetë më krenar sepse kuadrot tona nuk na turpërojnë, por na nxjerrin faqebardhë, në tryeza ndërkombëtare. Prandaj më 17 Tetor votohet edhe për kuadro, edhe për drejtues, edhe për vazhdimësi, votohet edhe për ardhmëri.” – ka thënë mes tjerash kreu i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij.
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi potencoi se çdo punë që ka filluar Bashkimi Demokratik për Integrim e ka realizuar në tërësi, në 100 % e tyre duke i numëruar të arriturat që mbajnë vulën e BDI-së dhe ka shprehur përkrahjen maksimale të të gjithë ekzekutivit për kandidaturën e Nuhi Nezirit dhe projekteve të programit të tij.