MaqedoniTop Lajme

Zaev: Në Tetovë dhe Zhelinë qytetarët i lëmë të lirë të vendosin vetë, në komunat tjera mbështesim BDI-në, përfshirë Strugën

Shpërndaje

Në komunat ku kandidatët e partnerëve të koalicionit të Social Demokratëve do të përballen me kandidatë nga partitë opozitare në raundin e dytë të zgjedhjeve, LSDM do të mbështesë ata nga koalicioni, përfshirë Ramiz Merkon në Strugë, për të cilin kreu i partisë Zoran Zaev më parë nuk ka pasur fjalë të mira. Në Tetovë dhe Zhelinë, LSDM-ja nuk do mbështes asnjërën parti, do e lë në dorë të qytetarëve.

Lideri i LSDM-së tha se kudo që janë me partnerët e koalicionit, dhe LSDM nuk ka kandidatin e vet, kur opozita është në anën e kundërt, në parim do mbështesin partnerin e koalicionit.

“Pra, në Strugë i japim mbështetje Ramiz Merkos, në Kërçovë Fatmir Deharit, në Gostivar Nevzat Bejtës, në Çair Visar Ganiut dhe përkatësisht në komunat tjera. Ashtu siç presim dhe marrim mbështetjen e partnerëve tanë të koalicionit.” tha Zaev nga Ohri.

Në pyetjen e një gazetari se pse do ta përkrahin Merkon në Strugë kur ai së fundi tha se është i zhgënjyer me të, Zaev tha se ka një ndryshim në punë.

“Që atëherë ka pasur shumë ndryshime. Pas thirrjeve të mia, kur Kosta (Konstantin Georgievski) filloi të ndërmarrë hapa në emër të së ardhmes së Ohrit që nënkuptojnë konfirmimin e statusit të Ohrit dhe rajonit të Ohrit në UNESCO, në atë moment ne nuk ishim të kënaqur me kryetarin Merko. Ai gjithashtu filloi një ose dy javë me vonesë.” u përgjigj kreu i LSDM -së.

Ai tha se Merko filloi me aktivitetet që nënkuptonin zhvillimin e balancuar urban të qytetit dhe vendbanimeve, pavarësisht nëse jetojnë maqedonas, shqiptarë, torbesh apo të tjerë.

Kur është fjala për komunat tjera, siç tha ai më parë, ku në raundin e dytë do të përballen kandidatët nga partitë në koalicion në nivel qendror, siç është Tetova ku garojnë Teuta Arifi nga BDI dhe Bilall Kasami nga Lëvizja Besa, si dhe Zhelina, LSDM nuk do të mbështesë askënd, por do të lërë anëtarësinë të zgjedhë opsionin që mendon se është më i miri për komunën. Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash do të mbahet me 31 tetor.