Rajoni

Presidenca sulmon Gjykatën Kushtetuese: Në një linjë me qeverinë, nuk jemi të detyruar ta zbatojmë

Shpërndaje

24 orë pasi në selinë e presidencës mbërriti vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019, kreu i shtetit e ka konsideruar atë një zhgënjyes për shqiptarët. Këshilltari juridik lexoi një deklaratë në emër të Presidentit duke akuzuar Gjykatën që nuk e shqyrtoi çështjen në themel.

“Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Kjo Gjykatë për fat të keq, i zhgënjeu të gjithë”.

Dervishaj e akuzoi Kushtetuesen se dërgimi i çështjes në Komisionin e Venecias ishte një lëvizje taktike pasi vendimin e kishte marrë më parë.

“Se sa kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese iu përshtat kërkesave të qeverisë, kjo nuk ka nevojë për komente. Mjafton të lexoni vendimin dhe e kuptoni se Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria janë në të njëjtën linjë arsyetimi”.

Por a do ta zbatojë Presidenti vendimin e Kushtetueses dhe a do të ketë zgjedhje të parakohshme në 6 bashkitë pa kryetar.

“Askush nuk është i detyruar të ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e këtij vendimi, për sa kohë ky vendim nuk thotë asgjë, përveçse rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë”.

Në emër të Presidentit Meta, Këshilltari i tij e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se krijoi një precedent shumë të rrezikshëm për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë.