Mediat gjermane: Bullgaria mundet me vite ta bllokojë inkuadrimin e RMV-së në BE
Bullgaria është para formimit të qeverisë së re, ndërsa në Bruksel shpresojnë se vendi do të heqë dorë nga vetoja për fillimin e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, thuhet në tekstin e gazetës “Frankfurter algemajne cajtung” dhe sqaron se qeveria e Borisovit i ka penguar negociatat me arsyetimet “të cilat jo vetëm Brukseli i konsideron absurde”, përcjell KDP.
“Shkupi duhet ta pranojë se gjuha maqedonase është gjegjësisht vetëm dialekt bullgar dhe se kombi maqedonas është zhvilluar nga bullgarizmi, kërkon midis tjerash Sofja. Por, kush beson se vetëm me ndryshimin e qeverisë në Bullgari sërish do të kthehet arsyeja dhe se debatet bizare akademike nuk do të jenë më në rrugën e politikës së BE-së në Ballkan, ai mund të gënjehet. ‘Kontesti për emrin’ midis Athinës dhe Shkupit e ka parandaluar integrimin perëndimor të shtetit ballkanik më shumë se një çerek shekulli, para vitit 2018 të zgjidhet me riemërimin e Maqedonisë në Maqedoni e Veriut. Kontesti historik bullgaro – maqedonas mund të zgjasë gjithashtu shumë vite”, thekson gazeta, transmeton “Dojçe vele”.
Sipas FAC, Kirill Petkov, i cili konsiderohet kryeministër i ardhshëm, shquhet si njeri pragmatik i cili shikon përpara dhe i cili nuk dëshiron të përhumbet në dendësinë e debateve ballkanike për historinë.
“Por, edhe ai duhet të ketë konsideratë ndaj partnerëve të koalicionit, midis tjerash edhe ndaj Partisë socialiste pjesërisht nacionaliste. Ndërsa jo vetëm për ithtarët e saj vlen: jodisponimi bullgar ndaj Maqedonisë së Veriut është më i thellë sesa vetëm për shumicën që shikojnë prej anash. Në linjën nacionaliste për këtë çështje është edhe presidenti i shtetit Rumen Radev (si edhe paraardhësi i tij Rosen Plevniev). Por, kjo më herët jashtë vendit nuk binte në sy pasi pozitat bullgare ishin nën hijen e ‘kontestit për emrin’ midis Greqisë dhe Maqedonisë”, thekson gazeta.
FAC më tej thekson se Bullgaria kërkon pakica bullgare e cila jeton në Maqedoninë e Veriut të përmendet në Kushtetutë dhe shton se nevojitet shumicë prej dy të tretash për një gjë të tillë në Shkup mbase do të gjendet më lehtë nëse Bullgaria me dekada nuk i përjashton në mënyrë sistematike qytetarët e saj të cilët definohen si maqedonas.
Gazeta vlerëson se Radevi kërkon që Shkupi ta censurojë debatin në vend, të prezentuar si “gjuhë urrejtjeje”. “Kjo ka të bëjë për periudhën nga viti 1941-1944, kur Bullgaria aso kohe e kishte okupuar pjesën më të madhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot, si edhe disa pjesë të Greqisë veriore, me ç’rast 7.200 hebraikë në vend nga autoritetet okupatore bullgare janë tubuar në geto dhe janë deportuar në kampin nazist Treblinka. Megjithatë, Sofja sot pohon se bëhet fjalë për “gjuhë urrejtjeje” kur në Maqedoninë e Veriut përmendoret ose pllakat përkujtimore të përkujtojnë kohën e “okupimit fashist bullgar”, thekson gazeta.
“Falsifikimi i historisë deri më tani nuk ishte kriter për inkuadrim në BE. Por, duket se bullgarët dëshirojnë ta bëjnë të jetë kriter. Me një gjë të tillë nuk mund të pajtohet Maqedonia e Veriut tashmë për shkak vetë respektimit të vlerave në BE”, konstaton FAC.