MaqedoniTop Lajme

Mickoski propozon Afrim Gashin për Kryeministër

Shpërndaje

Kreu i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski edhe një herë doli në konferencë për media për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, shteti është në krizë të thellë energjetike, diplomatike dhe ekonomike, kriza që mund të zgjidhen vetëm me zgjedhje të reja.

Shprehu pakënaqësinë e tij sepse askush nga pushteti nuk reagoi në deklaratën e euro-deputetit bullgar, Angell Xhambaski, i cili shkroi se Maqedonia është shtet i dytë bullgar. Pati edhe një propozim interesant për Afrim Gashin.

“Pendarovski kërkon 61 nënshkrime, të vendosim 61 nënshkrime për Afrim Gashin dhe Afrim Gashi në vend të Dimitar Kovaçevskit të bëhet mandatari i ardhshëm. Pres që edhe opozita shqiptare ta përkrahë këtë propozim. Dhe pres që edhe Ali Ahmeti do ta përkrah Afrim Gashin në vend të Dimitar Kovaçevskin. Nëse nuk i kanë 61, ne jemi në dispozicion që t’i mundësojmë Afrim Gashit që ta tregojë veten”.

U përgjigjën menjëherë nga Alternativa. E falenderojnë Mickoskin për vlerësimin për kryetarin Afrim Gashi, por thonë se janë në një proces që ende nuk e kanë përfunduar, dhe se nuk shohin nevojë për të ndryshuar axhendë. E sa i përket zgjedhjeve, nga Alternativa thonë:

“Nëse zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për mungesën e hapjes në negociatave për aderim, do ta kishim pranuar edhe ne një kërkesë të tillë. Megjithatë, ne jemi të bindur se ato vetëm do të prodhojnë ndërrim të pushtetit, por pa mundësuar ndonjë ndryshim tjetër cilësor. Sidoqoftë, Alternativa është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje kurdo që të organizohen ato, megjithëse beson se shumica është stabile dhe nuk kemi ndonjë shtrëngim të veçantë që ta shtyjmë vendin drejt zgjedhjeve”.

Mickoski kërkoi edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi që ta tërheqë përkrahjen për këtë qeveri, e edhe ai iu përgjigj negativisht. Thotë që shtetit i duhet shumicë stabile, e jo kriza politike.

“Në këto rrethana vendit i duhet stabilitet dhe institucione stabile dhe funksionale e jo kriza të reja dhe zgjedhje të parakohshme. Vendi jonë gati se në çdo vit ka patur zgjedhje të cilat janë edhe të kushtueshme për shtetin, kanë lodhur qytetarët dhe çka është më e rëndësishme ka pamundësuar edhe funksionimin plotë e kuvendit dhe qeverisë në miratimin e vendimeve dhe ligjeve por edhe realizimin e projekteve për shkak të restrikcioneve që i jep kodi zgjedhor. Por në fund të fundit unë jam vetëm një deputet dhe nuk varet nga mua a do heqë Bullgaria bllokadën apo a do të ketë zgjedhje të parakohshme”.

Zgjedhje të reja kërkojnë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Deputeti i kësaj partie, Elmi Aziri, tha se rrethanat e reja të krijuara pas refuzimit të ri nga BDI, kërkojnë një qeveri ekspertësh, që do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja dhe do të përkushtohej në reforma. Nga Aleanca për Shqiptarët përkrahin edhe propozimin e Mickoskit për Afrim Gashin.