Princesha saudite lirohet nga burgu pas gati tre vjetësh
Një princeshë saudite dhe vajza e saj janë liruar nga një burg i sigurisë së lartë pasi janë mbajtur për gati tre vjet pa akuza, thonë aktivistët.
Princesha Basma bint Saud u arrestua në mars të vitit 2019 teksa po përgatitej të fluturonte për në Zvicër për trajtim mjekësor, raporton BBC.
Nuk dihet pse u ndalua dhe as ajo dhe as vajza e saj Suhoud nuk u akuzuan për ndonjë krim.
Disa kanë spekuluar se mund të ketë qenë e lidhur me avokimin e saj për çështjet humanitare dhe reformën kushtetuese.
Familja e saj i tha Kombeve të Bashkuara në një deklaratë me shkrim në vitin 2020 se ka të ngjarë që kryesisht për shkak të “rekordit të saj si një kritike e hapur e abuzimeve”, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Mbështetësit e tjerë sugjerojnë se ishin lidhjet e saj të ngushta me ish-princin e kurorës, Mohammed bin Nayef, i cili raportohet se është vendosur në arrest shtëpiak.
Princesha Basma, 57 vjeç, i bëri thirrje mbretit saudit Salman dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman që ta lironin prillin e kaluar, duke thënë se ajo nuk kishte bërë asgjë të keqe dhe se ishte keq me shëndet.
Nuk dihet se çfarë trajtimi po kërkonte jashtë vendit kur u ndalua në vitin 2019.
Duke e shpallur lirimin e saj në Twitter, ALQST për të Drejtat e Njeriut tha se asaj i ishte “mohuar kujdesi mjekësor që i duhej për një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën” gjatë kohës së saj në burgun Al-Ha’ir, në periferi të kryeqytetit.
Shtoi grupi saudit për të drejtat e njeriut. “Në asnjë moment gjatë ndalimit të saj nuk është ngritur asnjë akuzë kundër saj”.
Princesha Basma është vajza më e vogël e mbretit Saud, i cili sundoi Arabinë Saudite midis 1953 dhe 1964.