RajoniTop Lajme

Nesër fillon gjysmëvjetori i dytë shkollor në Kosovë

Shpërndaje

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër, 10 janar 2022, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

“Task Forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, të dezinfektojnë hapësirat e shkollave”, thuhet në njoftimin e MASHTI.

Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja.

Ndërkohë, video-mësimet do të vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe ato mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MASHTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/.

Ministria e Arsimit fton të gjithë akterët e përfshirë në shkollë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKSHPK-ja, në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik dhe të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Njoftimi edhe nga ministrja Nagavci:

Të dashur mësimdhënës, nxënës dhe të gjithë të punësuar në shkolla.

Shpresoj të keni kaluar festa e pushime të gëzuara, e të riktheheni në shkolla për të filluar gjysmëvjetorin e dytë me energji të reja, kurreshtje e pasion për të mësuar më shumë.

Në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë, institucionet shkollore duhet të mbesin të hapura e mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe kjo kërkon punë e përgjegjësi nga të gjithë ne.

Mësimi do të vazhdojë të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë.

Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task Forcat në nivel komune.

Video-mësimet do të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI.

Ju ftoj për kujdes të shtuar e respektim të masave mbrojtëse në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik e të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Nga zemra ju dëshiroj shumë suksese të gjithëve!