Besimi nga Brukseli: Jemi të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane dhe afrimit me standardet evropiane
Perspektiva evropiane e vendit dhe pritjet nga presidenca franceze e BE-së për progres në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim ishin temat kryesore të diskutimit në takimin e sotëm në Bruksel të ministrit të Financave Fatmir Besimi me komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhei.
Sipas Ministrisë së Financave, në takim u evidentuan prioritetet e Ministrisë që synojnë forcimin e procesit reformues në fushën e menaxhimit të financave publike, përshpejtimin e rritjes nëpërmjet investimeve dhe konsolidimit të njëkohshëm fiskal, si dhe reformat e parashikuara në Programin e Reformës Ekonomike për periudhën 2022-2024, për të cilën tashmë kanë filluar konsultimet ndërmjet Qeverisë dhe Komisionit Evropian, që nënkupton afrimin e standardit të BE-së.
“Ne do të fokusohemi në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për të mundësuar përmbushjen e objektivave të agjendës së anëtarësimit në BE, duke përfshirë zbatimin e Axhendës së Gjelbër, Tranzicionit Dixhital dhe strategjive si dhe politikave të tjera të BE-së për Ballkanin Perëndimor, tha Ministri Besimi ku në takim shprehu mirënjohjen për mbështetjen që vendi ynë merr nga BE-ja në përballimin e pasojave të pandemisë me Covid-19, si dhe në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Qeveria është gjithashtu e angazhuar fuqishëm për forcimin e kapaciteteve administrative të strukturave të IPA-s dhe vlerëson rezultatin pozitiv të programit IPA 2021. Është miratuar Plani i Veprimit për ngritjen e një strukture të re IPA dhe strukturat kombëtare po punojnë për zbatimin e programit aktual IPA 2 në mënyrë që të shfrytëzohen sa më shumë nga fondet e alokuara.
Ministri theksoi në takim se qeveria e re mbetet e përkushtuar që të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së dhe se nuk ka alternativë tjetër.
Vendi pret që presidenca franceze të vazhdojë përpjekjet e saj për të bërë përparim në këtë proces. Qeveria është e gatshme të vazhdojë dialogun me Bullgarinë për të kapërcyer të gjitha çështjet për të cilat po zhvillohen diskutime për bashkëpunimin sektorial dhe për të arritur zgjidhje konsensuale të pranueshme për të dyja palët, thuhet në deklaratë.