BotaTop Lajme

Zelensky thërret rezervistët e ushtrisë – çfarë po ndodh në Ukrainë?

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka thirrur në detyrë ushtarët rezervistë të vendit të tij dhe ka paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me betejën për ekzistencë.

Ai e përjashtoi mundësinë e mobilizimit të përgjithshëm në fjalimin që e mbajti në mbrëmje para popullit. Megjithatë, vendimi për t’i kthyer rezervistët në detyrë aktive është një shenjë e mëtejmë se Ukraina është duke u përballur për përleshje të mundshme ushtarake me fqinjën e saj, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia do t’i përkrahë pretendimet territoriale të republikave të vetëshpallura në Luhansk dhe Donetsk, duke i rritur në masë dramatike gjasat për një luftë më të madhe në të ardhmen e afërt.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë shkaku i “fillimit” të pushtimit të Ukrainës, por shtoi se ende ka kohë për ta shmangur luftën.

Të mërkurën, ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, foli kundër sanksioneve, duke thënë: “Nuk mbaj mend as një ditë të vetme, kur vendi ynë jetoi pa ndonjë kufizim nga bota perëndimore. Ne kemi mësuar si të punojmë në kushte të tilla dhe jo vetëm të mbijetojmë, por gjithashtu ta zhvillojmë shtetin tonë.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur pranë homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Uashington, paralajmëroi se kriza e tanishme është “kërcënimi më i madh për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Australia, Kanadaja dhe Japonia iu bashkuan Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për t’i vënë sanksione Rusisë, pasi Gjermania mori vendim për ndërprerjen e procesit të miratimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”.