Maqedoni

Ndërron jetë akademiku Luan Starova

Shpërndaje

Në moshën 80-vjeçare ndërroi jetë sot akademiku Luan Starova, publikoi sonte familja e tij në “Fejsbuk”.

“Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot ndërroi jetë gjyshi, bashkëshorti dhe babai ynë Luan Starova”, thuhet në publikimin e familjes Starova.

Akademiku Luan Starova lindi më 14 gusht 1941 në Pogradec, Shqipëri, ndërsa nga viti 1943 me familjen shpërngulet dhe jetuan fillimisht në Strugë, për një kohë të shkurtër në Tetovë dhe që nga viti 1945 në Shkup.

Arsimin fillor dhe gjimnazin i kreu në Shkup. Studimet i vazhdoi për gjuhë dhe letërsi frënge. Gjatë studimeve ka punuar gazetar dhe kryeredaktor përgjegjës në gazetën “Mlad borec”.

Pas diplomimit në vitin 1967, fillon punën si gazetar në Radio Shkupi. Në vitin 1968 bëhet kryeredaktor përgjegjës në emisionet në gjuhën shqipe në Televizionin e Shkupit.

Studimet pasdiplomike i vazhdoi në Zagreb ndërsa ka qenë edhe në specializim në Paris. Në vitin 1974 u zgjodh asistent në Fakultetin Filologjik në Shkup, në grupin e gjuhës dhe letërsisë frënge.

Në vitin 1979 zgjidhet nënkryetar i Komisionit republikan për marrëdhënie kulturore me jashtë, ishte kryeredaktor i parë i botimit maqedonas të buletinit së UNESKO-s dhe anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Ballkans – Forum”. Në vitin 1985 zgjidhet Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i RSFJ-së në Tunizi. Ai u emërua ambasador i parë i RSFJ-së në shtetin palestinez. Në vitin 1990 u zgjodh profesor ordinar i letërsisë franceze në Fakultetin Filologjik të Shkupit, dhe më pas shef i Katedrës së gjuhëve dhe letërsisë rumune. Në vitin 1994 emërohet Ambasador i parë i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Maqedonisë në Francë, përfaqësuesi i parë i përhershëm në UNESKO dhe ambasador jorezident në Spanjë dhe Portugali.

Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë u zgjodh më 27 maj 2003. Ka qenë sekretar i Departamentit të Arteve, ndërsa nga 1 janari 2016 është zgjedhur nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Luan Starova ishte gjithashtu anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë Mesdhetare në Napoli dhe i Akademisë Evropiane të Shkencave në Salcburg.

Është autor i mbi 200 njësive bibliografike të punimeve të ndryshme profesionale dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe i përkthimeve të veprave të Zhan-Pol Sartre, Gjergj Lukaç, Ismail Kadare e të tjerë. Është autor i librit “Idetë letrare franceze të shekullit XX”, si dhe i “Sagës ballkanike”, të përbërë nga 17 romane. Për veprat e tij letrare ka fituar disa vlerësime dhe çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Akademiku Luan Starova do të varroset nesër, në varrezat në Butel, në orën 13.