BotaKuriozitete

Spanja mbulohet nga pluhuri i verdhë i ardhur nga shkretëtira e Saharasë

Shpërndaje

Një stuhi pluhuri e ardhur nga shkretëtira e Saharasë në Afrikën e Veriut ka qenë efektive në një pjesë të madhe të Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pluhuri i verdhë ka mbuluar automjetet dhe rrugët në shumë qytete nga jugu në veri të Spanjës e cila ka përjetuar stuhinë më të madhe të pluhurit në vitet e fundit.

Është vërejtur se spanjollët pas zgjimit në mëngjes i kanë gjetur automjetet e tyre plotësisht nën pluhur dhe janë dyndur në pikat e lavazheve ndërsa tregtarët kanë pastruar vitrinat dhe pjesë përpara dyqaneve të tyre.

Retë e verdha të rërës së shkretëtirës që mbuluan kryeqytetin Madrid dhe shumë qytete të tjera si Alicante, Segovia, Almeria, Leon, Valladolid, Murcia, Burgos, Avila, kanë rritur gjithashtu ndotjen e ajrit.

Ekspertët kanë paralajmëruar kryesisht të moshuarit që kanë probleme me frymëmarrjen të mos dalin në rrugë si dhe të anulohen aktivitetet në ambiente të hapura.

Duke bërë të ditur se ka pasur një “re të jashtëzakonshme pluhuri” që ka ardhur nga shkretëtira e Saharasë nën efektin e stuhisë Celia, ekspertët kanë thënë se një re kaq e dendur pluhuri është vërejtur shumë rrallë në Gadishullin Iberik dhe se po përjetohet një ngjarje historike.

Pritet që reja e pluhurit në Spanjë të vazhdojë efektin e saj edhe ditën e nesërme.