Rasti “Monstra”, Zoran Zaev tregon se çfarë është folur ndërmjet Bejtës dhe Azirit
“Nëse gjykata kërkon nga unë që të jem dëshmitar, sigurisht se do ta bëj atë sepse ai është obligim qytetar. Të gjitha materialet, jo vetëm për monstrën, të gjitha që i kam poseduar, përfshirë këtu edhe Zoran Zaevin, Branko Cervenkovski, Sugarevski, Shekerinska, gjithçka është dorëzuar atje”, kështu është përgjigjur sot kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev pyetjes se do të dëshmoni për rastin “Monstra” meqë kjo është kërkuar nga famijarët e të akuzuarve, transmeton Portalb.mk.
Duke komentuar edhe deklaratën e ditë më parë të të akuzuarit të rastit “Monstra”, Fejzi Aziri se është zhvilluar bisedë mes këtij të fundit dhe ish kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta, Zaev ka thënë se biseda ka pasur të bëjë për marrje të subvencionit në vlerë prej 400 eurove nga Aziri.
“Deri tash për shkak të ndjenjës së humbjes së prindërve që kanë humbur fëmijët kam treguar biseda në hapësirat e LSDM-së, ku pamë se si njëri nga të dyshuarit, Aziri, bisedon në telefon me ish atëherë kryetarin e Gostivarit, Nevzat Bejtën dhe e lut për 400 euro subvencione në bujqësi, të dhive, ka disa stallë, unë e kam treguar atë bisedë dhe kam treguar edhe se prindërit kanë biseduar. I kanë parë bisedat të gjithë, dhe në fund tërë ajo është dorëzuar. Zoran Zaev nuk mund të jetë hetues, as prokuror e që do të japë vlerësime apo të ngjashme. Prandaj edhe procesi është duke u zhvilluar nga fillimi sepse kam dëshmuar se aty ka dëshmi bazike”, tha Zaev.
Përndryshe, pas seancës së rastit “Monstra” që u mbajt më 17 prill, vëllai i të akuzuarit Fejzi Aziri, Bejdiu kërkoi që publikisht të publikohet biseda mes vëllait të tij, Fejzi Aziri dhe ish-kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Ai shtoi se biseda është private dhe do të ishte qesharake nëse publikohet.
Në lidhje me këtë, Zaev tha sot: “Shpresoj se materiale private nuk do të dalin, dhe deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë”.