Kuvend, javën e ardhshme votimi i ri i marrëveshjes

Shpërndaje

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi akoma nuk e ka caktuar seancën plenare për rivotimin e Ligjit për ratifikim të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Afati për kthim të Ligjit para deputetëve është 30 ditë nga dita kur Presidenti, Gjorge Ivanov refuzoi ta firmosë. Jozyrtarisht pritet që rikthimi i ligjit të ndodhë javën e ardhshme. Pas rivotimit nga deputetët, Ivanovi ka obligim kushtetues ta hedhë firmën e tij. Por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, nëse Ivanovi as pas kësaj nuk do ta respektojë Kushtetutën.

Ndërkohë në Athinë Marrëveshja për problemin shumëvjeçar, ka shkaktuar reagime të ndryshme. Kryediplomati grek, Nikos Kocias ka pranuar 800 letra me kërcënime, kuti me plumba dhe gjak.

Kam marrë 800 letra me kërcënime për jetën time dhe familjen time. Kam marrë kuti plot gjak dhe më thonë se do të rrjedhë gjak nga familja ime. Dhe kuti me dhe, të mbuluar me gjak. Kam marrë plumba të madhësive të ndryshme. Ku është prokurori? Këtu nuk kemi vetëm shpifje, këtu kemi vepra penale që arrijnë deri tek krimi. Kemi edhe përpjekje që Qeveria ose ministrat e Qeverisë të mos e kryejnë detyrën sipas zgjedhjes së tyre siç përcakton Kushtetuta, por bazuar në shantazhe dhe kërcënime. Këto janë krime të rënda sipas ligjeve greke, për të cilat nuk shoh dikë të reagojë – pohoi Nikos Kocias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Kocias po ashtu ka thënë se pret që pas referendumit në Shkup, që sipas tij do të mbahet më 16 ose 23 shtator, Marrëveshja në Kuvendin grek të kalojë me 150 vota. Ai kështu hodhi poshtë kërkesën e partisë së koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur që marrëveshja të miratohet me 180 deputetë. Nga ana tjetër, është riaktualizuar kërkesa që Marrëveshja të kalojë në një referendum në Greqi. Këtë herë përmes një rezolute, prefekturat dhe komunat e rajonit “Maqedonia Qendrore”, që ndodhet në Greqinë Veriore kundërshtojnë “Marrëveshjen e Prespës”, e cila sipas tyre dëmton seriozisht të ardhmen e Greqisë.

Rezoluta e komunave të Greqisë Veriore

“Kërkojmë nga Qeveria të mbajë referendum për “Marrëveshjen e Prespës” që t’iu jepet qytetarëve e drejta ligjore për ta ratifikuar ose refuzuar këtë marrëveshje që ka të bëjë me një çështje të rëndësishme kombëtare, historinë dhe kulturën e Greqisë.”

Në Selanik edhe mbrëmë qindra qytetarë protestuan kundër Marrëveshjes, në mbrojtje të “Karakterit grek të Maqedonisë”./Alsat-m