Filloi asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë

Shpërndaje

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë me operatorët ekonomik për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin e komunës së Gostivarit, si dhe kompletimin e të gjithë dokumentacionit të duhur dhe marrjes së pëlqimeve përkatëse, sot ka filluar asfaltimi i disa rrugëve në Gostivar dhe në fshatin Forinë.

“Ashtu siç u paralajmërua, paraditen e sotme filluan punët ndërtimore për riasfaltimin e rrugëve të dëmtuara përqark SHF ‘Goce Dellçev’ në Gostivar ku do të mënjanohet shtresa e vjetër e asfaltit dhe do të vendoset asfalti i ri, si dhe i dy rrugëve në fshatin Forinë të cilat më pas bashkohen në një, respektivisht prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave. Rrugët te shkolla kanë një gjatësi prej 1000 metra, ndërsa kostoja arrin në 12,5 milionë denarë, ndërsa rrugët në fshatin Forinë kanë një gjatësi prej 1.100 metra me gjerësi prej 5 metrash ndërsa kostoja arrin në 10 milionë denarë”, theksoi Jasin Demiri, zëdhënës i Komunës së Gostivarit.

Ai shpjegoi gjithashtu se tek shkolla “Goce Dellçev” do të intervenohet edhe te tehoret e rrugës sepse një pjesë janë të dëmtuara, si dhe sqaroi se obstruksione nga organet tjera nuk ka pasur dhe se bashkëpunimi është në nivel, gjë që uron të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Punimet janë duke vijuar sipas planit të paraparë, ndërsa qytetarët luten për mirëkuptim dhe kujdes gjatë realizimit të punëve ndërtimore”, shtoi Demiri.

Nga Komuna informojnë se nga Zyra për implementimin e projekteve se në muajt në vazhdim, deri sa të ketë kushte të volitshme atmosferike, do të realizohen më shumë projekte kapitale të parapara, për të cilat tashmë janë siguruar mjete financiare.