Futbollistëve të Kombëtares shqiptare iu mohohet nisja nga terminali VIP në Rinas

Shpërndaje

Kombëtarja shqiptare nis përgatitjet për ndeshjen me Skocinë, me një problem që nuk ka aspak lidhje me aspektin sportiv. Kuqezinjtë, të cilët do të nisen të dielën drejt Skocisë për sfidën e dytë të Ligës së Kombeve, panë që t’iu mohohej kalimi nëpërmjet terminalit VIP.

Federata Shqiptare e Futbollit kishte bërë një kërkesë për kalimin e skuadrës përfaqësuese nëpërmjet këtij terminali, në mënyrë që futbollistët, të cilët vijnë pas ndeshjes me Izraelin, të udhëtojnë drejt Glasgowt në mënyrë sa më komode dhe pa sorollatje, duke qenë se ky udhëtim zgjat 3 orë.

Pasditen e së premtes, në zyrat e qeverisë së futbollit shqiptar erdhi miratimi nga Ministria e Jashtme për kalimin e skuadrës përfaqësuese, por më pas kjo lëvizje u mohua, me pretendimin se kapacitetet e terminalit VIP e kanë të pamundur që të trajtojnë një numër kaq të lartë personash, edhe pse dëshira e mirë për të ndihmuar nuk mungon.

Ajo që të bën çudi në këtë pikë është se, Kombëtarja shqiptare ka kaluar edhe herë të tjera nëpërmjet këtij terminali dhe nuk ka pasur asnjë problem të tillë. Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen me Skocinë ditën e hënë, në Glasgow, dhe vjen si kryesuese e grupit 1 të Ligës C, me 3 pikët e marra pas fitores me Izraelin në “Elbasan Arena”./TCH/