Maqedoni

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për Merkon, Vangellovskin dhe drejtoreshën e Hematologjisë

Shpërndaje

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni) ka hapur procedurë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër drejtoreshës së Hematologjisë, Irena Panovska, kryetarit të Strugës, Ramiz Merko dhe kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, njofton Portalb.mk.

Në rastin te Panovska, do të hetohet nëse janë shkelur ligjet gjatë procedurës tenderiale për furnizimin e barnave, ten der që e ka marrë ndërmarrja Dr. Panovski, në pronësi të babait të saj, Zllatko Panovski.

Antikorrupsioni ka hapur lëndë, pas publikimit të informatave në media, por edhe pas paraqitjes së dorëzuar të një grupi të mjekëve. Sipas antikorrupsionistëve, në paraqitje ka shumë gjetje për parregullsi të cilat duhet që të shqyrtohen. Në paraqitje është theksuar se Panovska ka avancuar persona të afërt të saj në pozita udhëheqëse dhe se e ka pasur mbështetjen e ministrit, Venko Filipçe dhe ministres, Radmilla Shekerinska.

Plotësisht do të konstatohet nëse Panovska ka dorëzuar listë anketuese gjatë emërimit të saj për u.d. drejtore.

Kundër Ramiz Merkos është hapur procedurë për furnizimin e katër automjeteve me vlerë të përgjithshme prej 114.000 euro. Do të hetohet nëse Merko e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare gjatë furnizimit të veturës “Audi A6” me vlerë prej 67.000 euro në situatë kur Komuna është në borxh dhe fiton mjete nga Qeveria që t’i paguajë borxhet e saja. Antikorrupsionerët kanë cituar shkrime nga mediat ku Merko ka dhënë deklaratë dhe thotë se e ka blerë këtë veturë luksoze pasi që “Shkoda” shkon me shpejtësi të vogël.

Për furnizim të veturës është hapur procedurë edhe kundër kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski. Antikorrupsionerët do të hetojnë nëse Vangellovski e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për qëllime personale kur ka blerë veturë “BMV” me vlerë prej 40.000 euro.