Kryeministri grek Alexis Tsipras jep dorëheqjen, zgjedhjet e parakohshme më 20 shtator

Shpërndaje

Kryeministri grek Alexis Tsipras shpalli sot rreth orës 20:00 (me oren greke) dorëheqjen. Me anë të një fjalimi drejtuar popullit grek, Tsipras tha se qeveria e tij nuk ia doli të ulë borxhin edhe pse bëri gjithçka që të shpëtojë Greqinë. Duke u dorëhequr ai i jep mundësi vendit të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes Tsipras shprehet se marrëveshja me Evropën ishte më e mira e mundshme që Greqia mundi të arrinte. “Nuk realizuam ato që premtuam para votimeve, pasi nuk prisnim kaq shumë kundërshtime nga Evropa. Bëmë një marrëveshje që jemi të detyruar ta respektojmë. Me këtë marrëveshjen i kemi të siguruara pagat”.

Ndër të tjera Tsipras i kërkon grekëve të vlerësojnë vetë sukseset dhe dështimet, duke kërkuar sërish votëbesim. “Do kërkoj të me jepni një përgjigje me votën që mund të më jepni mua do luftoj sërish për Greqinë”.

Tsipras efektivisht e kishte humbur shumicën në parlament, pas një rebelimi të ekstremistëve në partinë e tij Syriza, të cilët kundërshtojnë një marrëveshje ndihme të arritur me huadhënësit ndërkombëtarë.

Mediat thonë se Tsipras mësohet të ketë vendosur edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme, për në 20 shtator.

Edhe sipas Kathimerinit, data e zgjedhjeve është fiksur për në 20 shtator. Kryeministri, sipas të njëjtit burim pas dorëheqjes do informojë për vendimin Presidentin e Republikës, Prokopis Pavlopoulos për të gjitha zhvillimet, ndërsa pritet të takohet edhe me liderët e partive të tjera. Në zbatim të Kushtetutës, kryeministër i përkohshëm i takon të jetë Kreut të Gjykatës së Lartë, Vasiliki Thanu-Hristofilu.

Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Bundestagu aprovoi paketën e tretë të ndihmës për Greqinë, ndërsa ESM i la rrugë të lirë planit të shpëtimit të Athinës.

Aleksis Tsipras, 41 vjeç dhe në pushtet që prej shtatë muajsh kërkon të rivendosë autoritetin e tij me një mandat të ri nga populli pas negociatave me Evropën dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Këto negociata kanë rezultuar në një program financiar ndihme që bie ndesh me disa prej premtimeve zgjedhore të Aleksis Tsipras. Duke thirrur zgjedhje të parakohshme, Aleksis Tsipras kërkon gjithahstu t’i përgjigjet rebelimit në radhët e partisë së tij./balkanweb/