Ndryshimet e funksionarëve në Qeveri dhe në institucione të mundshme pas inaugurimit të presidentit

Shpërndaje

Nga inaugurimi i presidentit të ri, Stevo Pendarovski, Qeveria më nuk ka për obligim, e as institucionet e tjera të qëndrojnë pas rregullit se nuk janë të mundshme kurrfarë zhvendosjesh të kuadrit, deklaroi sot zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me “fshesën” e paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, e cila do t’i përfshijë një pjesë të funksionarëve.

Tha se si koalicion serioz i Qeverisë do të ulen dhe do t’i bëjnë të gjitha analizat dhe do t’u japin përgjigje disa prej pritshmërive që nuk kanë arritur t’i plotësojnë.

“Kjo nuk është çështje vetëm e ndryshimeve dhe zhvendosjeve të personelit, por edhe çështje e ndryshimeve të cilat janë të domosdoshme në sistemin e vendimmarrjes. Keni mundur të shihni edhe gjatë gjithë fushatës se sa të fuqishme janë kritikat nga qytetarët, biznesi dhe mediat, për shembull për gjendjet në disa pjesë të caktuara të administratës tonë ku njerëzit vlerësojnë se është e drejtë kushtetuese të marrin pagë por nuk e ndjejnë si obligim kushtetues të punojnë”, deklaroi Shekerinska.

Sipas saj, në momentin kur pas nesh me sukses kanë përfunduar proceset politike dhe me sukses kanë përfunduar zgjedhjet presidenciale, siç tha “opinioni nuk do të na japë shumë kohë. Pres këtë analizë dhe këtë bisedë ta fillojmë menjëherë pas inaugurimit të Pendarovskit”.

Në pyetjen se si e komenton deklaratën e ministrit të Mjedisit Jetësor për një pjesë të disa mediave se për shkarkimin e tij nuk vendos kryeministri, por kryetari i partisë së tij BDI, Ali Ahmeti, Shekerinska tha se kemi qeveri të koalicionit në programin e së cilës qëndron se ky tip feudalëve partiakë nuk janë të mirë për shtetin. Këtë, siç shtoi, e tha LSDM në këtë program, këtë e tha BDI dhe e thanë të gjithë partnerët e koalicionit.

“Qëllimi ynë nuk është t’i ndajmë resorët dhe të themi se secili do të punojë çfarë të dojë. Pasi kjo nuk është qeveri, por pazar partiak dhe pazari partiak e çoi shtetin në vitin 2016 në baltën prej të cilës për dy vite po përpiqemi ta nxjerrim”, tha Shekerinska.

Shtoi se bisedimet rreth rikonstruimit, rreth ndryshimeve të kuadrit, rreth ndryshimeve sistematike në punën e Qeverisë nuk do t’i udhëheqë vetëm LSDM se, siç tha, ky do të ishte gabim i njëjtë por do t’i udhëheqin së bashku me të gjithë partnerët e koalicionit.