Operacioni në Veri, Thaçi: FSK-ja ishte në gjendje gatishmërie (Video)

Shpërndaje

Në një aksion të policisë së Kosovës që nisi herët në mëngjes në veri dhe jug të Mitrovicës janë arre.stuar 19 zyrtarë policor, 11 prej të cilëve serbë, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë. Gjatë aksionit një polic mbeti i plagosur me armë zjarri dhe katër të tjerë u lënduan.

Prokurori Sylë Hoxha tha se të arre.stuarit dyshohen për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Prokuroria speciale e Kosovës pasi i grumbulloi provat e nevojshme parashtroi kërkesë Gjykatës themelore në Prishtinë, respektivisht gjyqtarit të procedurës paraprake me urdhër për kontroll në shtëpitë dhe lokalet e përcjellësve për të gjithë këta të dyshuar. Mes këtyre të dyshuarve kemi epror dhe zyrtar të policisë së Kosovës, kemi pjesëtar të nacionalitetit serb, nacionalitetit shqiptar, boshnjak e kështu me radhë. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetar- deklaroi prokurori Sylë Hoxhaj.

Nga policia e Kosovës thanë se aksioni është zhvilluar në 12 lokacione ku kanë vepruar të dyshuarit.

Punonjësit e policisë të përfshirë në vepra penale dyshohen për vepra penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal në lidhje me veprat e tjera penale si kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhënia e ryshfetit tregti e ndaluar e të tjerë- tha Miradije Kelmendi, kryeshefe e inspektoratit policor.

Në mesin e të arrestuarve mësohet se janë edhe dy zyrtarë të UNMIKU-t, të cilët sipas mediave në Kosovë janë shtetas të Rusisë. Njëri prej të arrestuarve është Mikhail Krasnoshchenkov, ndërsa identiteti i zyrtarit të dytë nuk dihet. Ambasada e Rusisë në Serbi kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë një shtetas rus që punon në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Arrestimin e shtetasit rus e konfirmoi edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për siguri kombëtare ai deklaroi se aksioni ka pasur për qëllim luftën kundër krimit të organizuar.

Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, po ashtu serbet në Veri, që ta marrin këtë çështje si normale për rend dhe ligj. Nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti. Presidenti i Serbisë Vuçiç e din shumë mirë se nuk mund të lëviz në drejtim të Kosovës një gjë që është e pamundur dhe paimagjinueshme dhe edhe vetë ai është i bindur. Por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe FSK janë në gjendje gatishmërie- deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Aksioni ka shkaktuar reagim të ashpër të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Para parlamentit serb ai tha se Policia e Kosovës ka gjuajtur me armë në kokat e qytetarëve serb në Mitrovicë. Vuçiç tha se nëse do të nevojitet forcat serbe do të ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët e tyre në veri të Kosovës dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar të “disiplinojë” Prishtinën.

Kufiri i” Shqipërisë së Madhe” brenda pak ditëve të ardhshme, mund të na paraqitet në Kopaonik, falë serbëve që i ndihmuan në këtë. Por përgjigja ime ndaj tyre është – nuk do të ketë një kufi kaq të madh në Kopaonik- tha Alekandar Vuçiç

KFOR-i tha se aksioni i Policisë së Kosovës është në tërë territorin dhe me urdhëresë të organeve të drejtësisë. Ndërsa në reagimin e Bashkimit Evropian, zëdhënësja Maja Kocijançiq ka thënë se nuk ka vërejtje për aksionin dhe se Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet./ALSAT/