Eurodeputetët i bëjnë thirrje Këshillit Europian që t’ia liberalizojë vizat Kosovës pa vonesë

Shpërndaje

Eurodeputetët i kanë bërë thirrje Këshillit Europian që t’ia liberalizojnë vizat Kosovës pa asnjë vonesë.

Thirrja erdhi në një raport mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor ku eurodeputetët u kërkuan gjithashtu qeverive në rajon që të rrisin ndjeshëm përpjekjet e tyre për të ecur përpara me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, njofton Klan Kosova.

BE-ja, sipas eurodeputetëve, duhet t’i mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.

Raporti, i miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme të martën me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për migrantët dhe refugjatët. dhe si vend për pastrim parash dhe trafikim të armëve, thuhet në një komunikatë të Parlamentit Europian.

Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët i bënë thirrjen Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme.

Raportuesi Lukas Mandl tha se krimi i organizuar s’duhet shërbyer si prektekst nga BE-ja që të vonohet në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, por t’u dalë në ndihmë atyre.

“Krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e tyre publike dhe në njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse është një pengesë e madhe për përpjekjet e shoqërive në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar shtetet dhe ekonomitë e tyre. BE-ja nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e zgjerimit, por duhet të qëndrojë në krah të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”.