Hekurudhat janë në grevë | Drejtori fshihet nga publiku

Shpërndaje

Makinistët dhe kuadri tjetër në Hekurudhat e Maqedonisë që nga mëngjesi i sotëm janë në grevë. Trenat nuk qarkullojnë për shkak të mos pagesës së gjysmës së dytë të pagës për shtatorin.

Udhëheqësia e kompanisë shtetërore premtoi se deri të premten, më 29 tetor, punonjësit do t’i merrnin paratë, por për momentin nuk janë në llogaritë e tyre.

“Deri më tani pjesën e parë e kemi marrë në varësi të mjeteve se si do të paguhen. Si do i mblidhnin paratë, ndonjëherë 15, ndonjëherë 20, pra deri në datën 30 e paguanin pjesën e dytë. Mirëpo, këtë muaj dhe dy muaj më parë kemi ndërprerje pjesërisht, por këtë muaj nuk kanë para”, tha Dushko Cakarovski, nga Sindikata e Pavarur e Makinistëve.

Deri në mëngjesin e sotëm, katër trena pasagjerësh dhe dy të mallrave nuk janë nisur. Interesimi për shfrytëzimin e trafikut hekurudhor të pasagjerëve ka rënë në mënyrë drastike, si dhe është ulur vlera e trafikut hekurudhor të mallrave, ankohen makinistët.

“Sot është dashur të ketë linja për në Veles, Tabanoc, Manastir dhe Gjevgjeli. Duhet të kishte trafik mallrash për në Gjevgjeli”, u shpreh Toni Dimovski nga Sindikata e Makinistëve dhe personali ekzekutiv.

Nuk kemi marrë asnjë informacion se kur punëtorët e Hekurudhës do ta marrin pagën e shtatorit. Thirrjeve të Alsat-it nuk iu përgjigj drejtori i kompanisë shtetërore, Adnan Azizi. Mirëpo, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve na informuan se sot kanë transferuar 80 mijë euro në llogarinë e Hekurudhave të Maqedonisë. Sipas planit vjetor të punës, ministria përkatëse mbulon çdo vit shpenzimet e kësaj kompanie, respektivisht humbjet në emër të trafikut të udhëtarëve në vlerë prej gjashtë milionë eurosh.

“Kjo është pasqyra e të gjitha rrugëve hekurudhore në të gjithë vendin. Binarë të boshatisur, pa trena pasagjerësh apo mallrash. Dhe kështu do të mbetet nëse punëtorët në hekurudha nuk i marrin paratë. Ata paralajmëruan se nëse deri më 26-tin e këtij muaji nuk marrin pagë, çdo muaj do të ketë ndërprerje të qarkullimit”, raporton gazetari i Alsat, Ile Petrevski.

Kërkesa e kahmotshme e punëtorëve në hekurudha është që paga të merret në tërësi dhe jo në dy pjesë. Por tani për tani përgjigja e autoriteteve është se nuk ka para për këtë. Hekurudhat e Maqedonisë Transporti është një nga kompanitë shtetërore me deficitin më të madh në arkë, i cili tani arrin në mbi shtatë milionë euro. /Alsat M/