Kurti: 5 vjet pa Astritin, 5 vjet pa drejtësi për Astritin

Shpërndaje

Në pesëvjetorin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari kryeministri Albin Kurti tha se pesë vjet pa Astritin janë edhe pesë vjet pa drejtësi për Astritin.Gjatë ditës u bënë homazhe te varri i Astrit Deharit si dhe u mbajt akademi përkujtimore.

Fjalimi i plotë:

Fjalimi në tubimin përkujtimor, pas homazheve te varri i Astrit Deharit, me rastin e pesë vjetorit të mbytjes në burg:
E dashura nëna Xhemile, axha Avni,
Të dashura Arta e Albana, Blin e Lum,
Të dashur aktivistë,
Të nderuar miq,
Sot, në këtë tribunë përkujtimore, dëshiroj t’ju drejtohem disi ndryshe.
Përherë ne duam që dëshmori të jetë aty kur të vij rezultati i asaj historie që ai vetë e ka përcaktuar. Të jetë aty për të na përshendetur e për ta përshëndetur. Aty shprehet më fuqishëm ajo natyrë e pavdekshme e njeriut, ai besim i pathyer se ka një kalim të pandërprerë mes nesh. Një dëshirë e papërmbajtur, një zjarrmi, na mbërthen bashkë me pyetjen: cilat do të ishin fjalët e Astritit sot, në gjendjen tonë, në të arriturat dhe dilemat tona?
Sigurisht që ai ishte njëri prej nesh. Por sot, ai është i përveçmi. Kështu endemi gjatë tërë jetës sonë, mes kujtimeve të më të mirëve dhe përditshmërisë së punës sonë. I përveçmi qëndron aty, konstant, në mendimin tonë dhe në veprën e tij.
E dashur Nëna Xhemile,
Forca juaj trondit shumë prej nesh. Një pjesë e pranisë së patretshme të Astritit është kjo forcë. Më kujtohet shprehja e një aktivisti, disi në moshë, që më tha para do vitesh: me këtë nënë, Astriti nuk mund të mos ishte i shkëlqyer. Forca juaj qëndron në fjalët që thoni, në mënyrën se si flisni dhe në sytë që ju ndrijnë. Nënat e dëshmorëve tanë kthehen në legjenda të dhimbjes dhe forcës. Ju jeni mishërimi që na i bën ato nëna të pranishme. Nga kjo forcë e juaja, ne besojmë se në fjalët tuaja ka shumë prej atyre fjalëve që do të na thoshte Astriti. Forca e jashtëzakonshme e gruas na i bën të pranishme sakrificën, flijimin e dëshmorit.
I dashur axha Avni,
Urtësia juaj trondit shumë prej nesh. Një urtësi që i ngjan një vështrimi historik, histori nga ajo që përmban lehtësisht dekadat. Është një urtësi që e hedh vështrimin pjekurisht mbi shekuj. Mbase nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Ndryshe dëshmori nuk mund të krijohet në rrethanat e së përditshmes, po nuk iu ngjiz në qenie kjo pjekuri, ky vështrim meritor mbi kohët e gjata të historisë dhe së vërtetës. Një ritëm mendimi i pashqetësuar nga e përditshmja ka qenë sigurisht në themel të edukimit të aktivistit tonë të përveçëm. Fjalët tuaja të qeta sigurisht kanë një bartje në kujtimin tonë të Astritit, të qetësisë dhe maturisë së tij.
Arben Vitia që punoi shumë afër me të, këtë lloj kujtimi na e dëshmon ngahera. Forcën dhe qëndrueshmërinë, dijen dhe garancinë e një jete të plotë. Të dy vëllezërit, Arbnori dhe Astriti janë në gjestet tuaj të tanishëm. Dëshmori na flet përmes arritjeve tona, por sidomos me praninë tuaj integrale.
Të dashura Arta e Albana,
Astriti ishte ylli juaj, e tash është i të gjithëve, jo vetëm i të gjithë neve. Kujtimi juaj është përplot dashuri, e dhembje, që tash është e të gjithëve, jo vetëm e të gjithë neve. Tash Astriti është historikisht i atdheut, ashtu qysh ne politikisht duhet të jemi të tij.
Të nderuar aktivistë,
Diçka prej ideales në gjestin e pandërprerë të heroit duhet ta prekë në mënyra të pazhbëshme ekzistencën dhe punën tuaj të përditshme. Dëshmori nuk kërkon post, prandaj ne i akordojmë monument. Sepse ai është ndërgjegjja që ngulmon dhe e vërteta që shpaloset. Ai është referencë e veprimit të përbashkët, andaj ne e vendosim në një shesh.
E, Arsa e dashur, ndodhet në kopshtin e fëmijëve. Mëson e luan, dhe edukohet. Ajo do të kalojë nëpër moshat e saj dhe gjithnjë do t’i flasë dikush për babanë. Dhe do të rritet duke e njohur babanë e saj përmes respektit që ia dëshmojnë të tjerët. Kjo është rritja më e bindshme shoqërore e një individi, fat të cilin jo pak e kanë patur në tokën e Kosovës. Kjo është një figurë e përveçme e trashëgimisë. Dhe Arsa do të rritet e do të kuptojë gjithnjë e më shumë realitetin e popullit dhe figurën e babait. Ajo do të kuptojë gjithnjë e më shumë se të tjerët.
Astriti do të ishte sot, në të përditshmen tonë, i nevojshëm, por historia e bën të domosdoshëm. Kudo në botë, e kurdo në kohë, historia e aktivizmit përbëhet nga dëshmorë, e historia e virtytit shkruhet me heronj. Mosha, dija, vendi ku e thanë dhe data kur e përjetësuan veten, i bënë ata referencë morale. Nëse harrohen, atëherë është e kërcënuar vetë shoqëria, meqë nuk është më i qartë synimi i saj. Jo vetëm që nuk duhet të harrohen, por e vërteta e tyre duhet të jetë e shkruar qartë dhe pa asnjë mjegull.
Prandaj e kemi për detyrë të sjellim drejtësinë për Astritin e të nxjerrim në pah të vërtetën për Astritin. Sepse e vërteta e Astritit na kthjell ne, moralin tonë dhe të vërtetën e shoqërisë. Dëshmorët janë masa e saktë e vonesës sonë përsa i takon të vërtetës sonë. Dhe kjo e vërtetë e dëshmorit, është ajo që përmban të dy njësitë, atë kombëtare dhe atë shoqërore. Dhe figura e Astritit është e një kompleksiteti të përbindshëm. Kthjelltësia shoqërore dhe ajo kombëtare shprehen më së miri në figurën e tij, andaj ne duhet t’ia kthejmë si qartësinë shoqërore ashtu edhe atë kombëtare. Jo atij, por vetvetes.
Ai ishte student, dhe ne duhet të rregullojmë cilësinë e arsimit.
Ai ishte mjek, dhe ne duhet të sigurojmë shëndetin publik.
Ai ishte i ri, dhe ne duhet të hapim perspektivën për rininë.
Ai ishte aktivist politik, dhe ne duhet të garantojmë shoqëri të lirë.
Ai ishte organizator i Lëvizjes, dhe ne duhet të ndërtojmë shtet që lëviz.
Ai ishte qytetar aktiv, dhe ne duhet të sjellim barazi në Republikë.
Ai ishte shqiptar, dhe ne e kemi për detyrë angazhimin kombëtar.
Ai ishte i drejtë, dhe ne duhet e do të sjellim drejtësi.
Ju faleminderit.