MaqedoniTop Lajme

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov viziton Shkupin më 18 Janar

Shpërndaje

Më 18 Janar kur Kryeministri bullgar Kiril Petkov pritet të mbërrijë në Shkup, do të vazhdojnë negociatat për tejkalimin e kontestit që i ka bllokuar negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Petkov sot në Kuvendin Kombëtar theksoi se nuk do të heqë dorë nga korniza për të cilën ka arritur marrëveshje koalicioni qeveritar, e cila do të përmirësohet me komisione për përmirësimin e bashkëpunimit në infrastrukturë, kulturë, biznes dhe në fusha të tjera.

I sfiduar nga deputetja opozitare, Katerina Zaharieva, se qeveria e re e Bullgarisë në mënyrë jotransparente bën plane për vazhdimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për zhbllokim të procesit evropian, Kryeministri Kiril Petkov paralajmëroi se më 18 janar planifikon vizitë në Shkup, kur do të bisedohet edhe për formimin e pesë komisioneve të posaçme, për përparim në planin infrastrukturor, të kulturës dhe të biznesit.

“Pozicioni i Republikës së Bullgarisë në negociatat me Maqedoninë e Veriut udhëhiqet saktësisht sipas pikave në marrëveshjen e koalicionit, e cila u publikua online dhe të gjithë qytetarët bullgarë kanë pasur mundësinë ta shohin. Këtë pozicion e përmirësojmë me pesë komisione të posaçme. Unë nuk e kuptoj pse në vitin 2021 nuk kemi asnjë fluturim nga Sofja në Shkup, nuk kemi asnjë linjë hekurudhore, nuk kemi kalendar të përbashkët kulturor, më shumë bashkëpunim në fushën e biznesit. Me këtë që shkojmë në negociata më 18 Janar tregojmë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parim bazë në raportet me Maqedoninë e Veriut.”

Ministrja e deritanishme e punëve të jashtme, me qëndrim të ngurtë ndaj Maqedonisë së Veriut, në foltoren e Kuvendit Kombëtar në Sofje replikoi.

“Zotëri Kryeministër, edhe nuk e kuptoj, por së shpejti do ta kuptoni pse. Gjithë kjo që e propozoni si grupe të punës është në përmbajtje të Marrëveshjes dhe që në muajin shkurt të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar letër shumë më të detajuar për këtë që flisni. A e dini kur shprehën vullnetin të përgjigjen, më 20 dhjetor, kur kaluan të gjitha afatet. Kjo është vërtetë temë komplekse, por për planet tuaja nuk duhet të informohemi nga mediat.”

Zaharieva, qëndrimi mohues i së cilës se maqedonasit kanë histori dhe gjuhë të veçantë pamundëson përparim në negociata, nga foltorja e Parlamentit në Sofje shtoi se më shumë do të dëshironte që në vend që Petkov të udhëtojë në Shkup, në Bullgari të vinë autoritetet maqedonase, posaçërisht Presidenti Stevo Pendarovski, sepse, siç theksoi, qe dy-tre vite e mohon këtë./Klan Maqedoni