Huqja e Haradinajt për nivelin e shtrenjtimit të rrymës

Shpërndaje

Ramush Haradinaj (08.02.2022) – “Një qytetar i zakonshëm që minimalisht ka harxhuar 850kWh, me 60% në tarifën e lartë dhe 40% në tarifën e ulët, ka paguar 49.68 euro. Kurse tash, me Qeverinë Kurti që ka drejtimin e vendit, do të paguajë 92.40 euro”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka qenë i saktë kur ka treguar se sa do të paguajnë qytetarët rrymën me tarifat e reja. Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, një qytetar i cili ka shpenzuar 850 kilovat, prej të cilave 60% apo 510 kilovatë në tarifën e lartë dhe 40% apo 340 kilovatë në tarifën e ulët, nuk do të paguajë 92.40 euro siç ka shkruar Haradinaj por do të paguajë 52.16 euro.

Artikulli

Zyra e Rregullatorit të energjisë ka marrë vendim për shtrenjtimin e rrymës për një pjesë të konsumatorëve. Sipas vendimit të Rregullatorit, bizneset dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj do të paguajnë me tarifat aktuale, pra nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për ta.

Ndërsa, konsumatorët që konsumojnë mbi 800 kilovat do të preken nga shtrenjtimi i energjisë. Të gjithë konsumatorët, 800 kilovatët e parë do të vazhdojnë t’i paguajnë me tarifat e njëjta, pa shtrenjtim, pra 2.89 centë (pa TVSh) do të paguajnë për kilovatët e shpenzuar gjatë natës apo në tarifën e ulët dhe 6.75 centë (pa TVSh) do të paguajnë për kilovatët e shpenzuar në tarifën e lartë apo gjatë ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuara mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë. Pra, vendimi i ZRrE-së thotë që nëse një konsumator i shpenzon 1,000 kilovat në muaj, ai për 800 kilovatë do të paguajë më tarifat e lira kurse 200 kilovat;t e tjerë do t’i paguajë me tarifat e reja.

Pas vendimit të ZRrE-së, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Një qytetar i zakonshëm që minimalisht ka harxhuar 850kËh, me 60% në tarifën e lartë dhe 40% në tarifën e ulët, ka paguar 49.68 euro. Kurse tash, me Qeverinë Kurti që ka drejtimin e vendit, do të paguajë 92.40 euro”, thuhet në postimin e Haradinajt.

Sipas Haradinajt, një qytetar që shpenzon 850 kilovatë energji elektrike në muaj, 510 kilovatë ditën dhe 340 natën do të paguajë 40.24 euro më shumë.

Por, në bazë të kalkulatorit të faturave të energjisë që është publikuar nga ZRrE-ja, del që Haradinaj nuk e ka llogaritur saktë.

Por, sipas tarifave të reja të vendosura nga ZRrE, një qytetar i cili ka shpenzuar 850 kilovatë, prej të cilave 60% apo 510 kilovatë në tarifën e lartë dhe 40% apo 340 kilovatë në tarifën e ulët, nuk do të paguajë 92.40 euro siç ka shkruar Haradinaj por do të paguajë 52.16 euro.

Vendimi i ZRrE-së do të hyjë në fuqi prej 9 shkurtit dhe tarifat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2023.