Në vend të përgjigjeve, të nxjerrin jashtë! Spitali i Tetovës pa ashensorë dhe mamograf

Shpërndaje

Këta janë ashensorët e repartit të Kirurgjisë në Spitalin Klinik të Tetovës. Nuk funksionojnë, andaj qytetarët ecin shkallëve. Në këtë ndërtesë në katin e tretë dhe të katërt është Gjinekologjia, që do të thotë se në këmbë duhet të ngjiten edhe shtatzënat apo ato që shkojnë për lindje. Gjendja e njëjtë është edhe në repartin për sëmundje interne dhe në repartin e pediatrisë, ku prindërit detyrohen që fëmijët t’i mbajnë në krah.

“-A punon ashensori në spital?
-Jo nuk punon.
-Deri në katin e pestë u desh që të ngjitesh me fëmijën në krahë?
-Po me fëmijën në krahë, edhe nuk është hera e parë. Kushtet janë katastrofë, nuk mund të hysh në rend, rrinë pinë kafe dhe cigare dhe nuk marrin masa tek njerëzit që janë të sëmurë”.

“Nuk punonte, nuk është vetëm ashensori që nuk punon këtu ka shumë gjëra, as parkingjet, papastërti, shumë, shumë gjëra.”

Pasi drejtori Amir Elezi na tha se nuk ka kohë për deklaratë dhe po i pyesnim qytetarët për gjendjen e spitalit, sigurimi i spitalit na nxori jashtë me arsyetimin se ka urdhër nga drejtori i spitalit.

“Gjendemi para spitalit klinik të Tetovës. Gjatë ditës në drejtorinë e këtij spitali drejtuam disa pyetje, pse nuk punojnë dy ashensorët për pacientët, pse nuk punon aparati për eko të gjirit dhe pyetje të tjera, por në vend të përgjigjeve, sigurimi na nxori jashtë me arsyetimin se nuk kemi të drejtë të xhirojmë brenda në këtë spital”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.

Për shkak të mungesës së mamografisë, pacientet e Tetovës detyrohen që këtë kontroll ta kryejnë në qytete të tjera.