Bujar Osmani zbulon kush “i ka shitur” interesat maqedonase ndaj Bullgarisë!

Shpërndaje

Është një e vërtetë e madhe se veprimtarët politikë shpesh veprojnë sipas asaj fjalës “gjithçka që fluturon hahet!”. Pre e kësaj mendësie të gabuar ka rënë edhe ish-ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov, i cili, prej se nuk është më ministër (postin e humbi me ardhjen e Dimitar Kovaçevskit) nuk lë rast pa e kritikuar pasardhësin e tij, Bujar Osmanin.

Dukej një kohë se këta dy ishin tejet të harmonizuar: njëri ministër i jashtëm, tjetri për eurointegrime, të cilët e shtynin me sukses agjendën ndërkombëtare të vendit, por këtë idil nuk e prishin Bujar Osmani, po tjetërkush, që nuk e futi prapë në Qeveri Nikolla Dimitrovin, prandaj akuzat jokolegiale ndaj tij, pastaj, ishin sikur t’i mëshosh samarit të marrë vesh gomari…

Pak nga kritikat Dimitrovit, pak nga ato të opozitës dhe mediumeve, u krijua percepcioni që e përmendi në komentin e tij të fundit edhe Branko Gerovski(Plusinfo.mk) se shqiptarët janë ata që po “e tradhëojnë dhe shesin interesin e maqedonasve”. Krejt kjo në kontekst të zhvillimeve më të fundit në relacion Sofje – Shkup. Një percepcion tejet i pabazë dhe diskutabil. Se çështja nuk është ashtu si paraqiten, se as Bujar Osmani e as ndonjë shqiptar tjetër në Qeveri nuk punon kundër interesave të vendit, shpalosi polemika Nikolla Dimitrov – Bujar Osmani të hënën.

Këtij të dytit si duket i plasi filmi dhe para opinionit publik doli me një të vërtetë që sigurisht duhet ta lë pa fjalë ish-kolegun dhe ta rehatojë publikun e gjerë se nuk është ai që mund të shesë interesat e vendit.

“Mendova se do të mund të ruaja mirësjelljen diplomatike dhe të mos flas për heqjen e dokumenteve nga arkivi i MPJ-së para se të vija në shtëpi, por kur të kalohen vijat e kuqe të mirësjelljes, duhet t’i hapim të gjithë kartat deri në fund.”, shkroi mbrëmë në facebook ministri i jashtëm Bujar Osmani, për të sqaruar si vijon për një “trashëgimi” jo të këndshme të ish-ministrit në relacion me aspektet historike me Bullgarinë.

“Deri më tani kemi nënshkruar vetëm një Protokoll, të nënshkruar nga paraardhësi im, i cili ka disa detyrime të qarta, të cilat fatkeqësisht vetëm i kemi kryer, por nuk i kemi realizuar: E para është se ne pranojmë pikëpamjen bullgare për kryengritjen e Ilindenit, duke pranuar emërtimin “Kryengritja e Ilindenit-Rilindja(Preobrzhenie)”, duke krijuar kështu një bazë sipas së cilës duhej të vepronte Komisioni, i cili, nga ana tjetër, krijon vështirësi në punën e vet, por edhe vendosim një precedent në marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë, që çështjet historike t’i zgjidhim politikisht, në vend që t’ia lëmë Komisionit. Së dyti, me nënshkrimin e të vetmit Protokoll, paraardhësi im e obligoi Komisionin, por edhe vendin, para gjithë botës që të kenë një afat të shkurtër deri në fund të vitit 2019, për të gjetur një zgjidhje për Goce Dellçevin dhe kryengritja tani përkufizohet sipas pozicionit bullgar “Ilinden – Preobrazhenie”

Bujari Osmani, në këtë dalje nga lëkura e diplomatit, megjithatë, me diplomaci në fund u mundua të gjejë ndonjë arsyetim për kolegun që s’e kursen kur flet kundër tij: “Unë nuk mendoj se ai ka pasur qëllime të këqija atëherë, por nuk do të hesht për përpjekjen e tij “të shkumojë” ndaj përpjekjes tonë për të bërë një Protokoll të denjë, në të cilin nuk do të obligohemi për përmbajtjen, por për parimet e punës, duke na paraqitur tani si tradhtarë të nënshkrimit të tij”.

Edhe pse Bujar Osmani e ka nxjerrë në facebook fotografinë e dokumentit të Protokollit që e ka nënshkruar para tri vitesh, në post scriptumin e tij ka sqaruar se atë dikush e ka larguar nga Ministria e Punëve të jashtme.

Në fund duhet të thuhet se politikanët nuk kanë përgjegjësi të veprimit dhe fjalës publike vetëm sa janë në funksione, por dhe më pas. Ata duhet të flasin të vërtetën, të mos bëjnë konstruksione për të manipuluar publikun, e sidomos është e pafalshme që të fajësojnë dikë tjetër për bëmat e tyre!