Ritmi i ngadaltë, Vettingu në polici drejt pezullimit
Do ketë filtrim vetëm për gradat e larta. Në më shumë se 2 vite u vlerësuan vetëm 62 zyrtarë
Pas më shumë se dy vitesh seancash të mbajtura dhe ndryshimesh në ligj, Ministria e Brendshme është duke punuar për të ndërprerë procesin e Vettingut në radhët e policisë.
Filtrimi i zyrtarëve të policisë, Gardës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, do të bëhet në dy drejtime të ndryshme. Zyrtarët që do të synojnë pozicione drejtuese do t’i nënshtrohen një filtri të detajuar.
Ndërkohë integriteti profesional dhe morali i figurës dhe integriteti pasuror, do të bëhet me një instrument që është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Ky ndryshim sipas burimeve bëhet për shkak të mos funksionimit të procesit të Vettingut ashtu siç pritej. Në mars të vitit të shkuar ndryshoi ligji, ku organet e Vettingut u detyruan të hartojnë një listë prioritare me emrat e 42 subjekteve.
Ndonëse ka kaluar një vit, në sitë kanë kaluar gjysma e tyre, 22 zyrtarë. Nga këta 16 konfirmuar janë konfirmuar në detyrë, një është përjashtuar, tre të tjerë janë dorëhequr ndërsa për dy të tjerë është dhënë vendim që duhet të ndjekin trajnime tek akademia e sigurisë.
Ndërkohë prej nisjes së vlerësimit kalimtar të punonjësve në Nëntor të 2019-ës kanë kaluar në filtër vetëm 62 subjekte.
Ecuria e ngadaltë e këtij procesi, për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit është për shkak të mos bashkëpunimi të disa institucioneve të tjera shtetërore në kthimin e përgjigjeve për subjektet e këtij ligji.