Baerbock: Para statusit të kandidatit është dialogu me Serbinë, palët të gjejnë zgjidhje sa i përket zgjedhjeve serbe më 3 prill

Shpërndaje

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket liberalizimit të vizave dhe se tani punën e saj duhet ta kryejë edhe Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten mbrëma, Baerbock ka thënë se BE-ja është duke ua zgjatur dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.

“Kosova në këtë drejtim e ka bërë punën e saj dhe tani i mbetet BE-së që ta bëjë punën e saj. Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, ka thënë Baerbock.

Sipas saj, për Kosovën para anëtarësimit në BE është statusi i kandidatit, ndërkaq para statusit të kandidatit është dialogu me Serbinë.

Ndërkaq teksa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, Baerbock ka thënë se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët sa i përket zgjedhjeve serbe, më 3 prill.

“Një nga përparësitë është forcimi i besimit në rajon. Na duhen përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime gjatë luftës do të përcillen me gjenerata. Ne do të marrim përgjegjësi dhe kërkohet guxim për vendime të vështira. Me rendësi është bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sikurse realizimi për zgjedhje në Kosovë nga Serbia që të gjendet zgjidhje për të votuar serbët në Kosovë”, tha ajo.