Merr fund dilema, pse po e përdor Rusia shkronjën “Z”

Shpërndaje

Merr më në fund dilema se çfarë nënkupton shkronja “Z” në mjetet ushtarake të Rusisë. Simboli u dallua fillimisht në tanke. Tashmë është kthyer në një simbol mbështetje për pushtimin e Rusisë në Ukrainë.

Përdorimi i “Z” është bërë nga njerëz të ndryshëm dhe po merr trajta mbarëkombëtare në Rusi. Fillimisht ishin disa fëmijë të sëmurë rëndë në Kazan që së bashku me nënat e tyre krijuan shkronjën “z” në shenjë mbështetje ndaj pushtimit.

Më pas, një gjimnast rus e përdori shkronjën “Z” teksa merrte një çmim në një kompeticion në Katar.

Nga vjen ky simbol?

Ka pasur disa ide për origjinën e saj. Disa thonë se “Z” qëndron për “Za pobedu” (qe do të thotë “për fitoren”). Disa të tjerë e kanë përkthyer si “Zapad” (Perëndim).

Ndërkohë që spekulimet kanë shkuar deri aty saqë e kanë krahasuar me svastikan që u përdor në Luftën e Dytë Botërore nga nazistët gjermanë. Madje “Z”-së i kanë vënë pseudonimin “svastika e Putinit”

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ruse duket se ka konfirmuar versionin e parë. Në një postim në rrjetet sociale të ushtrisë ruse ishin publikuar tre foto. Në to shfaqeshin ushtarë të sotëm me ata sovjetikë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore ku u ishte bashkangjitur simboli “Z” së bashku me fjalën rusisht “për fitoren”.

Në fillim u mendua që “Z” ishte edhe një mënyrë që ushtria ruse të identifikonte forcat e saj të veta duke parandaluar incidente mes njëri tjetrit. Më pas të tjera raportime kanë thënë se “Z” simbolizon forcat që kanë ardhur nga distriktet lindore të Rusisë.

Ndërkohë sipas të njëjtave raportime disa simbole të tjera me “Z” brenda një kuadrati tregonin forcat që kanë ardhur nga Krimea, e cila është aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Ditët e fundit simboli “Z” është parë në makinat e njerëzve në Rusi, në bluza, furgonë dhe logo biznesi.