Çmime stabile në gjysmën e dytë të vitit/ Besimi: Pandemia dhe lufta kanë sjell krizë

Shpërndaje

Mbrojtja e standardit jetësor të kategorisë sociale, ruajtjen e likuiditetit të kompanive, masat për rritje të qëndrueshme ekonomike janë disa nga masat kyçe që po ndërmerr Qeveria në planin afatmesëm dhe afatgjatë, tha sot kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski në Forumin Ekonomik dhe Financiar.

Sipas këtyre prioriteteve, siç tha Kovaçevski, aktualisht është bërë edhe ribalanci i Buxhetit për vitin 2022, si reagim i duhur ndaj zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe efektit të tyre në ekonominë vendore dhe globale.

“Ne e parashikuam normën e inflacionit në 7.2% në vit, sërish në kuadër të pritjeve për lëvizjet e inflacionit në Eurozonë dhe përllogaritjen e efektit të tejmbushjes së tyre në vendin tonë. Në përputhje me pritshmërinë e institucioneve financiare ndërkombëtare për gjysmën e dytë të vitit, parashikojmë stabilizim të çmimeve. Duke stabilizuar presionet e çmimeve, me normalizimin e zinxhirëve të furnizimit, por edhe me zbatimin e planit të qeverisë për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes, parashikimet janë që rritja ekonomike në vendin tonë të përshpejtohet në periudhën afatmesme”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi tha se kriza nga pandemia dhe lufta në Ukrainë ka sjellë shumë sfida afatshkurtra, por fokusi duhet të jetë në ato afatgjate.

“Së pari ishte pandemia, recesion i thellë – më i keqi që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kriza financiare 10 vjet më parë. Kriza erdhi me një ndërprerje në zinxhirin e furnizimit, çmime më të larta të ushqimit dhe energjisë dhe kushte më të shtrënguara të tregut. Pastaj erdhi lufta në Ukrainë. Tronditje me karakter tjetër, humbje jetësh njerëzish, por edhe tronditje për ekonomitë. Ka qenë një katalizator për pasigurinë, rritjen e çmimeve të produkteve, ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit dhe sfidat pandemike. Kjo tashmë është një krizë e shumëfishtë”- pohoi Fatmir Besimi, ministri i Financave.

Ndryshe nobelisti në ekonomi, profesori amerikan Paul Krugman duke iu referuar situatës pas krizës së shkaktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, tha se pasojat po ndjehen, por që tani për tani nuk mund të thuhet nëse vendet do të jenë në recesion, megjithatë, theksohet se të gjithë do të ndjejnë dhimbje ekonomike.

Sfidat makroekonomike në kohë trazirash, lidhjet në rajon, sfidat në kohë krize që duhet zbatuar për të ruajtur dhe nxitur rritjen, ishin disa nga temat të cilat gjithashtu u diskutuan në Forumin Ekonomik –Financiar në Shkup të mbajtur me iniciativë të Ministrisë së Financave.