Zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, Mickovski: Të mbahen pavarësisht eurointegrimit

Shpërndaje

Maqedonia e Veriut duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, pavarësisht marrjes ose jo të datës për fillim të negociatave në qershor, vlerëson kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski. Sipas kreut të VMRO-së, këtë e kërkon vetë populli në më shumë anketa. Shumica e popullsisë mendojnë se Maqedonia po ec në drejtim të gabuar dhe se kjo qeveri duhet të ik, vlerëson Mickovski.

“A do të marrim datën apo jo, nuk ka lidhje me zgjedhjet e parakohshme. Sërish do t’i kemi këta njerëz të njëjtë, të cilët e bënë Maqedoninë vendin më të korruptuar, me ekonomi më të dobët në Ballkan, arsim katastrofal dhe sistem më të keq të shëndetësisë. Kjo s’do ndryshohet përgjatë natës, andaj neve na nevojitem ndryshime thelbësore dhe reforma.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kovaçevski: Dimër i vështirë nga lufta në Ukrainë

Sipas Mickovskit, nëse vendi vazhdon me udhëheqësinë aktuale do të fundoset duke numëruar mossuksese dhe mbetur vendi më pak zhvillimor i Ballkanit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski disa herë ka përsëritur se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje në këtë periudhë krize ekonomike dhe energjetike pasuar nga lufta e Ukrainës. Kryeministri sot paralajmëroi një dimër të vështirë me furnizimet me energjinë.

“Se çfarë dimri na pret do të varet edhe nga zhvillimet në Ukrainë. Nëse vazhdojnë luftimet, atëherë efektet negative të asaj lufte do të jenë akoma më të fuqishme si për Europën edhe për rajonin tonë në përgjithësi.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Zgjedhjet e parakohshme i ka kundërshtuar edhe BDI, për dallim nga opozita shqiptare të cilët insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje.