Mbahet Konferenca ”E Ardhmja e Transportit”
Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për dy ditë radhazi mbajti Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare “E Ardhmja e Transportit”.
Konferencën e hapi kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli Dalipi, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla në vendin tonë. Qëllimi i konferencës ishte bashkimi i deputetëve të rajonit dhe të Evropës për të diskutuar për çështjen e transportit dhe thellimin e bashkëpunimit në avancimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijmin e lidhjeve të reja që do të mundësonin udhëtim sa më të lehtë, të sigurt, të pastër dhe të përballueshëm për qytetarët e vendeve tona. Shkëmbimi i eksperiencave dhe politikave që kanë ndërmarr disa vende të Evropës në reformimin e transportit janë të nevojshme për ne.
Në anën tjetër, drejtori i FES për Kosovë, Rene Schlee theksoi rëndësinë e konferencës dhe bashkëpunimin që duhet të kenë vendet e rajonit dhe të Evropës në çështjen e transportit.
Konferencës ndërkombëtare iu bashkua edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po ashtu vlerësoi lartë rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla dhe e konsideroi të një rëndësie të veçantë.
“Tema të cilën po e trajtojmë sot është shumë e rëndësishme dhe ka marrë vëmendje tejet të madhe, sidomos pas zhvillimeve të fundit që po i shohim në botë, e veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë”, theksoi kryetari Konjufca, i cili po ashtu shtoi se çdoherë kur mendohet dhe diskutohet rreth transportit, duhet të mendohet për zhvillimin e qëndrueshëm i cili, sipas tij, kërkon edhe bashkëpunim mes palëve dhe sektorëve të ndryshëm, duke qenë në harmoni të plotë me komunitetin.
Një fjalë rasti në hapjen e konferencës e kishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili në fjalën e tij paraqiti prioritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt agjendës së gjelbër dhe reformimit të transportit. Po ashtu vuri në pah se prioriteti kryesor është integrimi në rrjetin rajonal të transportit. Referuar sektorit të transportit, zëvëndëskryeministri Bislimi theksoi se ky sektor ka nevojë për mbështetje të madhe dhe të vazhdueshme.
Në konferencë ishin të pranishëm delegacione parlamentare nga Estonia, Shqipëria, Portugalia, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, ekspertë nga tri organizata për sektorin e transportit të njohura ndrërkombëtarisht, European Road Transport Advisory Council (ENTRAC), World Resources Institute (WRI) dhe Global Road Safety Partnership (GRSP). Ndërsa në nivel vendi morën pjesë ambasadorë të vendeve mike, organizata joqeveritare ndërkombëtare NDI, UN Habitat, Jica, UNDP, dhe ato lokale INDEP, Ec Ma Ndryshe, EcoZ dhe EcoAlbania nga Shqipëria.
Konferenca u përqendrua në çështjet se si mund të ndërtojmë një të ardhme të gjelbër dhe të zhvilluar duke tranformuar sektorin e transportit, si mund të bëjmë ndërlidhjen mes llojeve të ndryshme të transportit, krijimi i transportit të menqur, të qasshëm dhe të përballueshëm për të gjithë.
Konferenca kishte gjashtë sesione në të cilat u trajtuan shumë tema të rëndësishme përbrenda fushave të sipërcekura.
Në ditën e dytë të konferencës delegacionet patën mundësi të përjetojnë një udhëtim me tren nga Prishtina në Pejë të cilët gjatë rrugës panë bukuritë e Kosovës e veçanërisht bukuritë e Pejës dhe shijuan një drekë me produkte tona vendore dhe mikpritjen shqiptare në fshatin Stankaj të Rugovës për të cilën u përkujdes Komuna e Pejës.
Konferenca u përmbyll me vizitën e delegacionit në zyrën e Kryeministrit të cilët u pritën nga Kryeministri Kurti.
Konferenca u organizua nga Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kuvendin e Kosovës dhe u mbështet nga fondacioni gjerman Friedrich Erbert Stiftung (FES). Ditëve në vijim do të publikohet edhe raporti me përfundimet e dala nga konferenca i cili do të përgatitet nga UN Habitat.