Mbytja e të riut në det, vrojtuesi i plazhit tregon momentet e vështira

Shpërndaje

Duhej të ishte një ditë plazhi si shumë të tjera më parë, por fatkeqësisht 14 korriku u kthye në një ditë tragjike për familjen Kashiku që banonte në sektorin Rinia në plazh Durrës.

18-vjeçari Anri Kashiku humbi jetën ndërsa u fut të ndihmonte të vëllain e mitur, i cili bashkë me një shok tjetër të mitur ishin futur në detin e trazuar me dallgë dhe nuk po arrinin të dilnin.

E ndërsa meraku dhe angazhimi i të gjithëve u përqendrua në shpëtimin e dy minorenëve, askush nuk e parashikoi që do të ishte 18-vjecari ai që do humbiste jetën mes dallgëve të detit. Vrojtuesi i plazhit në sektorin Rinia ku ndodhi ngjarja tregon për A2 CNN momentet e vështira, dhe kronologjinë e ngjarjes.

“Deti ishte me dallgë dhe shohim dy fëmijë të vegjël duke u futur në det. Kishin ikur pak larg, vëllai po vraponte prej atje dhe menjëherë vrapuam dhe ne. Pasi nxorëm të vegjlit pa ndjenja, u kthyem për djalin tjetër por nuk e pamë më. U munduam ta nxirrnim edhe atë, por gjetëm vetëm kapelën”, tregon Igli Shahinaj.

“Viktimën e gjetëm pas nja dy orësh. U munduam të gjithë, por e nxorën dallgët. E nxorëm me shpejtësi, me shpresën se mos kishte shenja jete, por ishte e pamundur”.

Në të njëjtën mënyrë e tregon ngjarjen edhe shoku i klasës së të ndjerit, i cili gjithashtu ndodhej në ato momente në plazhin e sektorit Rinia. Ndërsa ngjarja duket se ka dhënë impaktin e saj edhe në frekuentimin e paktë të plazhit, hetimet e nisura po vijojnë. /A2 CNN/