Kurti nga Berlini: Nuk do të ketë komuna serbe ne Kosovë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur një debat me disa gazetarë serbë pasi këta të fundit e pyetën me Asocacionin e Komunave serbe. Kurti nuk e ka pranuar këtë koncept duke u përgjigjur ndaj gazetarëve serbë se nuk ekzistonin komuna serbe në Kosovë, por komuna me shumicë serbe.

“Së pari nuk ka në Kosovë komuna serbe. Nuk ka as komuna shqiptare, as komuna serbe. Ka komuna me shumicë të popullsisë shqiptare, shumica e komunave janë të tilla. Por ka edhe komuna që janë me shumicë serbe, por nuk ka komuna serbe, nuk ka të tilla. Komunat u përkasin qytetarëve, nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale. Shikoni, konceptet i keni të gabuara”- tha Kurti.

Ndërsa gazetarët i përmendën Kurtit se koncepti i komunave serbe i referohej marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa Kurti sërish e hodhi poshtë pretendimin e tyre duke përsëritur se në Kosovë nuk kishte komuna të përcaktuara sipas përkatësisë kombëtare.

“Jo, jo nuk qëndron ashtu. Ndoshta në Beograd ekzistojnë dokumete të tilla. Në Prishtinë nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale, ka individë të përkatësisë nacionale. Nuk mund të jetë komuna serbe, mund të jetë me shumicë serbe”, u shpreh Kurti.

Më tej ai shtoi se Serbia nuk mund të kërkonte diçka që vetë nuk e bënte, duke marrë shembull grupet etnike pakicë në Serbi, që nuk kanë organizime të tilla, të quajtura “Asociacion komunash”.

“Është me rëndësi të dini se ajo marrëveshje e para 10 vjetëve nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetutese. Unë angazhohem për raporte të mira të ndërsjella në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të bazohen në reciprocitet. Nuk mund të kërkosh diçka te tjetri nëse nuk je në gjendje atë kërkesë, t’ia vendosësh vetës. Edhe në Serbi ekzistojnë komunitete të tilla. A është Serbia e gatshme të ketë Asoaciacionin e komunave me shumicë të hungarezëve, të arumunëve, boshnjakëve, myslimavënë të Sanxhakut, të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Nuk mund ta kërkosh diçka për tjetrin, nëse nuk je i gatshëm ta bësh këtë në shtëpinë tënde”, ka thënë Kurti në Berlin.