Komuna e Gostivarit binjakëzohet me komunën e Ulqinit
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka bërë të ditur se sot është themeluar bashkëpunimi me Komunën e Ulqinit.
Postimi nga Taravari:
E filluam ditën e Komunës tonë me binjakëzim me Ulqinin e Malit të Zi 🇲🇪
Sot prita në takim kryetarin e komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, të shoqëruar nga ambasadorja e Malit të Zi në Maqedoninë e Veriut, ekselenca e saj, Maria Petroviq.
Në takim nënshkruajtëm Kartën për miqësi dhe bashkëpunim ndërmjet Gostivarit dhe Ulqinit, gjegjësisht binjakëzimin mes dy komunave tona.
Qëllimi i Kartës është arritja e interesave të përbashkëta dhe promovimi i përbashkët në të gjitha fushat, si dhe zhvillimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve miqësore.
Karta përfshin bashkëpunim në fushën e sipërmarrësisë dhe zhvillimit të ekonomisë, përmirësim të turizmit nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e kulturës, në arsim dhe në sport.
Ndryshe, ky bashkëpunim me Ulqinin është i veçantë pasi e arritëm sot, më 23 dhjetor, kur ne shënojmë Ditën e komunës.