Protesta masive në Izrael (Foto)

Shpërndaje

Shkarkimi i befasishëm i ministrit izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant nga kryeministri Beniamin Netanyahu ka nxjerrë me dhjetëra mijëra vetë në rrugët e qyteteve anekënd shtetit hebre, në një shpërthim spontan indinjate.

Protestuesit në Tel Aviv bllokuan një autostradë kryesore dhe ndezën zjarre të mëdha, ndërsa policia u përlesh me grupet e njerëzve të mbledhur përpara shtëpisë së Netanyahut në Jeruzalem e madje në një moment të caktuar thyen dhe kordonin e sigurisë. Skena të ngjashme pati edhe ne Beersheba e Haifa.

Arsyeja e shkarkimit të Gallant ishte sfida që ai I bëri planeve të liderit izraelit për reformën në gjyqësor. Gallant ishte anëtari i parë i lartë i partisë Likud në pushtet që foli kundër reformës, duke pohuar hapur se në këtë pikë, ndasitë e thella po kërcënonin dobësimin e ushtrisë. Trazirat përbënë pikën kulmore të një krize që ishte thellohej ngadalë prej muajsh tashmë.

U desh një ditë për të shkarkuar Gallatin, por mjaftuan vetëm pak minuta që tubuesit të pushtonin sheshet e rrugët pas njoftimit, ndaj të cilit protestoi edhe konsulli izraelit në Nju Jork, Asaf Zamir, i cili deklaroi se do të jepte dorëheqjen. Sot universitetet hyjnë në grevë, ndërsa sindikatat përgatiten për një aksion bllokues që mund të paralizojë vendin.

Sipas Corriere della Serës, pritet që përballë reagimit të jashtëzakonshëm mbarë popullor, Netanyahu të njoftojë pezullimin e reformës së gjyqësorit, megjithatë nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar për këtë. Reforma në fjalë ka shkaktuar protesta masive, ka alarmuar udhëheqësit e biznesit dhe ish-krerët e sigurisë dhe ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ngushtë.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishin thellësisht të shqetësuara nga ngjarjet e së dielës dhe theksuan nevojën urgjente për kompromis, duke përsëritur thirrjet për të mbrojtur vlerat demokratike.