Rikthehet çmimi i bukës 33 denarë

Shpërndaje

Pas vendimit të djeshëm të industrisë së bukëpjekësve që të rifillojnë me prodhimin dhe shitjen e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, sot, sic njofton KlanM, raftet e shitoreve ishin të mbushura edhe me këtë lloj të bukës, me çmimin e caktuar tavan nga Qeveria prej 33 denarëve.

Madje, disa prej prodhuesve kishin ulur çmimin e bukës edhe në 23 denarë. Ditëve të fundit, sic njofton KlanM, pas vendimit të Qeverisë për ngrirje të çmimit të bukës, ka pasur tensione mes Qeverisë dhe industrisë së bukëpjekësve, të cilët nuk e pranuan mirë këtë vendim dhe një pjesë e tyre disa ditë nuk prodhuan bukë të bardhë, në shenjë proteste. Autoritet akuzuan bukëpjekësit se përfitojnë në dëm të qytetarëve dhe paralajmëruar dënime ndaj atyre që nuk i binden vendimit të Qeverisë.

Kjo masë, ka përplasur edhe partitë politike. Partia në pushtet, LSDM sot përmes një komunikate, ka lavdëruar Qeverinë, duke thënë se po mbron interesin e qytetarëve dhe nuk po lejon që dikush të përfitojë në kurriz të tyre.

“Me vendimin për çmimin e bukës prej 33 denarë mbrojmë qytetarin dhe standardin. Duke marrë parasysh çmimin e privilegjuar të energjisë elektrike, çmimin e grurit, gazit natyror dhe derivateve të naftës, çmimi prej 33 denarë është korrekte dhe në të përfshihet fitimi i bukëpjekësve. Shqyrtojmë opsione për “ngrirjen” edhe të produketeve tjera themelore” – tha Sanela Shkrijelj, deputete e LSDM-së

Ndërkohë, për VMRO – DPMNE-në opozitare, veprimet e fundit të pushtetit në këtë drejtim, janë hipokrite.

“Është zgjidhje ad-hoc, praktikisht sot për nesër, nuk është zgjidhje afatgjate që mund të sigurojë cmim të pranueshëm për qytetarët. Ne sot, fatkeqësisht, thejmë rekorde për inflacionin, dyfish më të lartë se në BE, nuk kemi politika ekonomike, bëjnë PR duke u fotografuar nëpër markete me dy copë bukë Kryeministri dhe Ministrat tjerë, në vend që ta zgjidhin problemin” – tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, sic njofton KlanM, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se, po bëhen analiza për ngrirje të çmimeve edhe për produkte të tjera bazë. Sipas paralajmërimeve, pritet ulje e çmimeve të pastave dhe produkteve qumështore. Por, për këtë do të sjellët vendim deri në fund të javës së ardhshme.