Komisioni për çështje ekonomike, debat i ashpër mbi ligjet për Korridoret 8 dhe 10

Shpërndaje

Me akuza të ndërsjella vazhdoi debati në komisionin për çështje ekonomike ku po diskutohen ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Nga VMRO-DPMNE u ankuan se pushteti pa dhënë shpjegime po refuzon amendamentet e tyre. Sipas partisë opozitare vet fakti se marrëveshja po fshihet, dëshmon për atë se pushteti i ka të futura “gishtat në mjaltë”.

“Kur të dorëzojmë amendamente, përgjigja është nuk pranohet. Pse nuk pranohen, nuk e dimë. Kur shohim se amendamentet tona një nga një po refuzohen, në mënyrë shtesë po e rritni dyshimin tek ne se diçka nuk është në rregull me këtë marrëveshje. Do të ishte fer ta jepni marrëveshjen, t’i dimë detajet, në të kundërtën ne mbetemi në qëndrimin se diçka nuk është në rregull me këtë projekt.”, – deklaroi Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE.

Për BDI-në, diskursi politik i VMRO-DPMNE-së është i papranueshëm. Në mungesë të argumenteve, VMRO-DPMNE tenton të bllokojë një projekt, i cili sipas BDI-së përfitimet e veta do t’i jep si në aspekt të zhvillimit ekonomik dhe të turizmit, por edhe në aspekt të lidhjes më të shpejtë me shtetet në rajon.

“Këtë diskurs politik është mirë që VMRO-DPMNE ta ndryshojë, pasi është interes edhe kombëtarë edhe shtetëror dhe bëj thirrje deri te partia VMRO ta ndryshon se nuk është duke luajtur në një vijë, e cila është në të mirë të bashkëqytetarëve tanë. Është mjaft projekt i rëndësishëm dhe unë besoj se të gjithë unanimisht të mbledhim forcën dhe t’i ndihmojmë qeverisë që një ditë më parë të fillojë me këtë projekt. Beneficionet them edhe njëherë do të jenë shumë efektive.”, – theksoi Bedri Fazliu nga BDI.

Në komisionin për çështje ekonomike u debatua rreth propozim-ligjit për burime minerale, e cila së bashku me shtatë propozim-ligje tjera presin të kalojnë filtrat e komisioneve që më pas të miratohen në seancë plenare.