Nga Silvana Begaj: Një intervistë e vogël për një patriot të madh! Krijimtari diaspore

Shpërndaje

Një intervistë e vogël për një patriot të madh! Krijimtari diaspore.

Si lindi ideja e librave?

Libri i parë “ Shqiptarët në retrokujtesën nordike” përmbledh, pak a shumë, njohuritë që kisha zënë dikur gjatë studimeve të mija universitare për lidhjet tona kulturore e historike me vendet e gadishullit Skandinav dhe përplotësohet, në masë më të madhe, me gjetjet e mija nëpër muzetë, arkivat e bibliotekat e vendeve skandinave, gjatë qëndrimit tim njëzetvjeçar në Suedi.

Pra është rezultat i kërkimeve të mija në hapësirën re gjeografike, pas emigrimit tim të imponuar nga lufta që kaploi Shqipërinë e këtej Drinit, në fund të shekullit XX. Duke lexuar Enciklopedinë Suedeze, duke shfletuar shtypin e vjetër suedez e duke parë bibliografinë e botimeve suedeze me përmbajtje shqiptare, u binda se kisha për çka të shkruaja. Një shtysë tjetër që me detyroi të shkruaj librin, ishte veprimtaria kulturore e patriotike e mërgatës shqiptare në Suedi. Veprimtaria kulturore e mërgatës sonë ishte dhe është lidhur ngushtë me krijimtarinë e vendlindjes, kurse veprimtaria patriotike e mërgatës ishte e preokupuar fort rreth fatit politik e ekonomik të atdheut që lëngonte nën peshën e rëndë të okupimit.

Për të shkruar librin e dytë “Trinia shqiptare e suedezit Ullmar Qvick” pata vetëm një shtysë që përmbante dy virtyte: dashurinë e suedezit Ullmar Qvick për shqiptarët dhe shkathtësinë e tij për ta mësuar e perfeksionuar gjuhën shqipe. Jam i bindur se dashuria e suedezit Qvick për trininë shqiptare siç e quaj unë (Shqipëria, shqiptarët, shqipja) do të shtyjë edhe shumë krijues tjerë për të shkruar libra për këtë mik e albanolog të veçantë.

Pse vazhdoni dhe jeni me kokën nga Shqipëria edhe pse prej shume vitesh jetoni në diasporë.

Kisha lexuar në atdhe, para se të emigroja në Suedi, se Atdheu duhet edhe më shumë kur ndodhesh larg tij. Konica ma bëri të ditur këtë ndjesi përmes letërsisë. Asnjëherë nuk kisha menduar se një ditë do të provoja mërgimin për të “verifikuar” ndjesinë që e kishte lënë të shkruar Konica shumë dekada më parë. Një indikator armiqësor, në këtë rast -okupimi serb i vendlindjes, me detyroj të provoj të njëjtën ndjeshmëri që kishte provuar dikur Konica në mungesë të vendlindjes së tij. E mungesa e atdheut tim në Suedi, nuk ishte vetëm ndjesi koniciane, ishte më keq, ishte dhembje, mundim që të torturonte për natë e për ditë.

Mërgimi asnjëherë nuk më shkëputi lidhjen supreme shpirtërore me atdheun, ndonëse po bëj një çerek shekulli jete në Suedi. Për më shumë, një lidhje të tillë me atdheun, nuk e kam ndjerë vetëm unë, e kam parë tek secili mërgimtar, e kam hetuar posaçërisht tek brezi i shqiptarëve të Kosovës që fundshekulli i njëzet i gjeti dyerve të Europës.

Prandaj, trupin e end nëpër Suedi, por kokën e mbaj të kthyer kah Shqipëritë e mija- Kosova e Shqipëria.

A mendoni se kanë impakt veprat tuaja tek brezat e rinj?

Besoj se po. Unë meqë jam mësues në Suedi (edhe i gjuhës shqipe), shoh së nxënësit e mi i kërkojnë dhe i lexojnë librat e mi. Ata habitën kur lexojnë për lidhjet e hershme suedeze – shqiptare, kur dëgjojnë Ullmar Qvickun duke komunikuar gjuhën shqipe (unë kam intervistuar Qvickun për Televizionin AlbSe) dhe, ata, sikur motivohen, ndjehen më të pranuar, më të vlerësuar. Libri ndikon pozitivisht, ekuilibron ndjesinë e të qenurit i huaj- diasporë dhe forcon arsyen për t`ju kthyer rrënjëve herë do kur.

Çfarë shtjellojnë librat?

Libri i parë ka dy pjesë, pjesa e parë shtjellon lidhjet e hershme kulturore, politike e diplomatike shqiptaro – nordike kurse pjesa e dytë veprimtarinë kulturore të mërgatës së sotme shqiptare në Suedi.

Libri i dytë shtjellon jetën dhe krijimtarinë albanologjike të Ullmar Qvick-ut, në vazhdimësi shtatëdhjetëvjeçare. Në domenin albanologjik analizoj e interpretoj krijimtarinë letrare në poezi, prozë, përkthime e studime të Ullmar Qvickut.

Silvana Begaj