Derë e hekurit në komunën e Zubin Potokut para betimit të kryetarit shqiptar (Video)

Shpërndaje

Në derën e hyrjes të Komunën së Zubin Potokut është vendosur një derë e hekurit, në prag të betimit të kryetarit të ri, Izmir Zeqiri.

Objekti i komunës përveç që është brenda territorit të Kosovës, nuk ka asgjë që simbolizon shtetësinë e saj.

Pavarësisht kësaj, udhëheqjen me Komunën e Zubin Potokut do ta ketë një kryetar shqiptar.

Pak ditë para se Izmir Zeqiri të betohet në këtë post, një derë metali është vendosur në hyrje të objektit të Komunës.

Nga fshati Çabër, Zeqiri mohon se vendosja e kësaj dere ka qëllim bllokimin e hyrjes së tij në objekt.

Ai pretendon se shkak janë disa punime që kryhen aty, por që gjatë ditës sa qëndroi ekipi i T7 nuk u pa asnjë punëtor.

Kandidati i PDK-së për kryetar, e pranon se nuk ka shkelur ende në atë objekt.

Kurse, Sefer Veseli, asamblist i PDK-së në këtë komunë thotë se ka 7 muaj që nuk ka qenë në vendin e tij të punës.

Ai thotë se mban mend që ajo derë ishte tashmë e vendosur prej kohësh.

Por, ish-zv.kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, e shqetëson fakti se nuk mund të marrë asnjë informacion për atë që ndodh në komunë.

E nga Policia e Kosovës thonë se askush nuk e ka lajmëruar rastin prandaj edhe nuk ka ndërhyrë në këtë pjesë.

Ndryshe, T7 mëson se kryetarët e ri të zgjedhur të Komunave Veriore do të betohen javën që vjen.