Prezantohet armatimi i konfiskuar në Zveçan (Foto)

Shpërndaje

Është prezantuar armatimi i gjetur gjatë bastisjes në një shtëpi në Zveçan.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri ka bërë të ditur se në mesin e armatimit gjendeshin katër armë automatike, karikatorë të shumtë me plumba e municion përcjellës dhe materiale të ndryshme shpërthyese.

Në një konferencë për medie, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar dhe se me rastin nuk ka ende persona të arrestuar e megjithatë, ka të dyshuar.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën e pesë shtatorit, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.

Sipas ministrit të këtij dikasteri, kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar ai.

Sveçla ka theksuar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

Njofftimi nga policia e Kosovës:

Konfiskohet një sasi e armatimit në Zveçan
Prishtinë, më 5 shtator 2023
Policia e Kosovës në bashkëpunim me organe tjera të sigurisë, kanë trajtuar një informatë nën dyshimin se në një shtëpi në Zveçan ka armë dhe mjete tjera ushtarake.
Sot, më 05.09.2023, në koordinim me organet e drejtësisë, në ora 09:40, policia ka kryer një kontroll në një shtëpi, pronë e L.G., (viti i lindjes 1948, mashkull serb kosovar) në Zveçan.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur dhe konfiskuar:
1. Katër (4) armë AK 47,
2. Tridhjetë e katër (34) karikatorë të armës AK 47,
3. Një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë (1546) fishekë të kalibrave të ndryshëm,
4. Tetë granata dore,
5. Një (1) minë anti-këmbësorie,
6. Dy (2) gazë-maska,
7. Dy (2) çanta ushtarake,
8. Një (1) shok-bombë,
9. Dy (2) fishekë-zjarre,
10. Dy (2) optika të armës,
11. Një (1) thikë ushtarake,
12. Një (1) maskë ushtarake,
13. Dy (2) rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë,
14. Pesë (5) çanta të vogla ushtarake,
15. Një (1) rrip i pajisjeve ushtarake,
16. Një (1) këllëf i pistoletës dhe
17. Pajisje për pastrim të armatimit.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda. Polica mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që përfshihen në veprimtari penale.