BE-ja konfirmon: Kosovarët do të udhëtojnë pa viza në Europë nga 1 janari 2024

Shpërndaje

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se nuk ka asnjë pezullim apo ndryshim të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në një komunikim me KALLXO.com, Zyra e BE-së ka thënë se regjimi pa viza do të fillojë të zbatohet më 1 janar 2024, siç ishte parashikuar.

“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u lejojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si turistë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore”, ka deklaruar Ioanna Lachana, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Zyra e BE-së ka nisur gjithashtu një fushatë informuese me titullin “Explore Europe” për të njoftuar publikun kosovar për përfitimet, përgjegjësitë dhe kufizimet e regjimit pa viza. Stafi i BE-së në Kosovë po zhvillon aktivitete në disa qytete të Kosovës, si pjesë e fushatës së qeverisë për liberalizimin e vizave.

“Ky është një moment i rëndësishëm historik në marrëdhëniet BE-Kosovë dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së. BE-ja në Kosovë ka nisur fushatën “Eksploro Evropën” për të shpjeguar përfitimet që sjell liberalizimi i vizave, por edhe përgjegjësitë dhe kufizimet. Stafi i BE-së në Kosovë gjithashtu merr pjesë në aktivitete informuese në disa qytete të Kosovës si pjesë e fushatave të qeverisë për liberalizimin e vizave,” shtoi Lachana.

Çështja e vizave për Kosovën është bërë shkak i polemikave këtë javë pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të martën në Tiranë. Macron tha se procesi i vizave për Kosovën është pezulluar nga Franca. Por kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga institucionet e BE-së, të cilat thanë se asnjë vend anëtar nuk ka kërkuar apo ndërmarrë iniciativë për pezullimin e regjimit pa viza për Kosovën.

Vendimi për liberalizimin e vizave është miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian më 19 prill 2023 dhe është nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Vendimi është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së më 25 prill 2023 dhe hyri në fuqi më 15 maj 2023. Sipas këtij vendimi, kosovarët mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024.