Artisti bashkëkohor Sislej Xhafa në Universitetin e Tetovës do ta realizojë projektin artistik “Rrota e dashurisë”

Shpërndaje

Ai ka udhëtuar nga Nju-Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta zhvilluar para studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Arteve (UT) projektin e tij të radhës dhe për ta përcjellë sidomos te studentët, përvojën e tij të krijimtarisë artistike dhe për të krijuar bashkëpunime e për ta nxitur kureshtjen e studentëve drejt zbulimit të veprave të reja.

Në takimin që realizoi (më 30 tetor 2023), me drejtuesit e Universitetit të Tetovës, Rektorin, Prof. Dr. Jusuf Zejnelin dhe bashkëpunëtorët e tij, z. Xhafa shprehu mirënjohje për mikpritjen në këtë institucion i cili sipas tij është një vepër multidimensionale. Në këtë takim miqësor u theksua nevoja e domosdoshme e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe personaliteteve që e përfaqësojnë denjësisht artin dhe kulturën shqiptare në vende të ndryshme të botës.

Prodekania për shkencë e Fakultetit të Arteve, njëherazi kuratore e projektit të sipërpërmendur, Prof. Ord. Nora Halimi, thekson se “Është nder dhe kënaqësi që e kemi pritur në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Arteve, Sislej Xhafën, një ndër emrat më të njohur të skenës së artit bashkëkohor botëror, një artist me krijimtari të përfaqësuar nga galeritë, muzetë dhe koleksionet me prestigjioze botërore. Sislej Xhafa është në Fakultetin e Arteve nga data 30.10.2023 dhe do jetë këtu deri më 03.11.2023, për të zhvilluar një punëtori me studentët e programit studimor Art Figurativ të titulluar “Rrota e dashurisë”, një projekt i rëndësishëm artistik”.

Po ashtu ajo bën të ditur se punëtoria është e hapur dhe do të zhvillohet në ambientet e programit studimor të Artit Figurativ. Për informata më të hollësishme lidhur me programin dhe orarin e realizimit të kësaj punëtorie, mund të kontaktoni në email adresën: nora.halimi@ unite.edu.mk

Zyra për informim –