EVN merr në dorë përcaktimin e çmimit të rrymës! KRRE do të jetë organ mbikëqyrës për bllok-tarifat

Shpërndaje

Nga 1 janari çmimin e ri të energjisë elektrike do ta përllogaris kompania shpërndarëse EVN Home. Por, këto vendime do të jenë në mbikëqyrje nga Komisioni Rregullator i Energjetikës, e cila deri më tani vetë i ka formuar çmimet si organ i pavarur. Por, me ndryshimet e reja në Ligjin për Energjetikë tani e tutje EVN do të përcaktoj vetë çmimin për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë.

“Sipas ndryshimeve të reja në Ligjin për Energjetikë, EVN Home si furnizues Universal tash e tutje do të jetë përgjegjëse për llogaritjen e çmimit të energjisë elektrike, posaçërisht për kategoritë e konsumatorëve të vegjël dhe amvisëritë. Deri më tani këto përllogaritje janë bërë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës. KRRE do të përcaktojë çmimet dhe tarifat për pjesën tjetër, pra për transmetimin (MEPSO), shpërndarjen (EVN) dhe për operatorin e tregut të energjisë elektrike (MEMO)”, njoftojnë nga Kompania shpërndarëse EVN Home.

Intervenimi i vetëm i KRRE-së në këtë përllogaritje, sipas ligjit të ri, është nëse EVN ka tejkaluar normat e kostos apo ka gabuar në llogaritje. Para aplikimit të çmimit, nga EVN Home thonë se janë të obliguar që të dorëzojë në KRRE për kontroll të gjitha të dhënat e përdorura në kalkulim, si dhe draft kalkulimet e çmimeve, sipas rregulloreve të BE-së.

Nga Ministria e Ekonomisë, resor që ka përgatitur ndryshimet ligjore, thonë se pavarësisht rregullave të reja nuk do të ketë rritje të re të çmimit të energjisë elektrike.

“Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet as në bllok-tarifa e as në përgjithësi. Momentalisht po bëhen analizat nga KRRE dhe institucioneve përgjegjës sa i përket bllok-tarifave sepse duam sa më tepër ti mbrojmë kategoritë më të prekura të qytetarëve, ata që kursejnë dhe ata që janë paraparë sipas Ministrisë së punës dhe politikës sociale. Sipas pikës 5 të Nenit 10, KRRE do të bëj mbikëqyrjen nëse është bërë mënyrë në korrekte përllogaritja sipas sistemit tarifor”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thonë se EVN Home do të përdor të njëjtat formula ekzistuese që janë përdorur dhe përcaktuar nga KRRE në sistemin tarifor për energjinë elektrike te konsumatorët.

“KRRE nuk do ta caktoj çmimin e ri për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, atë do ta bëjë EVN HOME, kurse paraprakisht do ta dërgoj për kontroll në KRRE, ku do të kontrollohet nëse zbatohen në rregull sistemet tarifore. Kjo bëhet thuajse në të gjitha vendet! Vetëm ne, Serbia dhe Kosova mbetëm vendet ku KRRE-ja përcakton çmimin e energjisë elektrike”, njoftojnë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Çmimi i ri i energjisë elektrike duhet të publikohet deri në fund të vitit, kurse do të vlejë nga Janari 2024.

Nga KRRE-ja njoftojnë se një gjë është e sigurt që nuk do të ketë ndryshime në blloqet tarifore./Alsat.mk